Policia e Durrësit ka dhënë sot informacion lidhur me arrestimin e Dorjan Sherifit, i cili kishte marrë me qira banesën ku strehohej Aldo Avdyli.
Në njoftimin zyrtar thuhet se vijon operacioni policor i koduar “Ghosts”, i zhvilluar nga Forca Operacionale e DVP Durrës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Reparti “RENEA”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesë e një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve kundër personit.
Hetimet çuan në arrestimin në Shijak të Dorjan Sherifit, 29 vjeç, i cili kishte ndihmuar Aldo Avdylin duke i siguruar banesën me qira në Tiranë, ku ai fshihej nga autoritetet.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Nga të dhënat e hetimeve, Sherifi dyshohet se ka bashkëpunuar në fshehjen e Avdylit, i akuzuar për “vrasje me paramendim” për motive hakmarrjeje, “pastrim parash” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.