Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Truth Social se është në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.
“Biseda është ende në zhvillim, është e gjatë, dhe do të ndaj përmbajtjen e saj, ashtu si edhe presidenti Putin, sapo të përfundojë”, ka shkruar Trump.
Sipas mediave amerikane, telefonata po zhvillohet në një moment kritik, vetëm një ditë përpara vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington. Gjatë qëndrimit të tij, Zelensky pritet të kërkojë dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të tipit Tomahawk drejt Kievit.
Kjo është hera e parë që Trump dhe Putin komunikojnë publikisht pas gati dy muajsh. Biseda po ndodh në sfondin e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë dhe shtimit të presionit ndërkombëtar për një marrëveshje paqeje.