Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) ka mohuar sot akuzat e opozitës për punën e dytë të Presidentit dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, si mjek në një klinikë private.
Në një deklaratë zyrtare, AFA sqaron se pagesat që po përmenden në media lidhen me detyrime financiare të papaguara ndaj stafit akademik të angazhuar në kërkimin shkencor gjatë viteve 2013-2018, periudhë në të cilën ishte pjesë edhe Begaj si mjek ushtarak. Këto detyrime u shlyen në vitet 2022 dhe 2024 në mënyrë transparente dhe sipas legjislacionit në fuqi.
AFA thekson se dokumentacioni për këtë proces është i plotë dhe i verifikueshëm nga çdo institucion kompetent, ndërsa fton median të bazojë raportimet mbi fakte të verifikuara, duke shmangur keqinformimin e opinionit publik.
Kujtojmë se opozita, përmes kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kishte akuzuar Presidentin Begaj për kryerje të një pune dytësore si mjek konsulent në një rrjet klinikash private.








