Në protestën e zhvilluar sot në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë, Azgan Haklaj, koordinatori i tubimit, theksoi se akuzat ndaj tyre janë të fabrikuara dhe se ata po mbahen padrejtësisht.
Haklaj u shpreh se në këtë protestë është mbledhur e gjithë shqiptaria për të krijuar një “besëlidhje të re” mes shqiptarëve, duke nënvizuar unitetin kombëtar përtej kufijve.
“UÇK-ja është lavdia më e madhe e kombit tonë, që ka shkruar faqen më të ndritshme të historisë. Çlirimtarët tanë po mbahen padrejtësisht në Hagë, ndërkohë që ne jemi mbledhur sot për të mbrojtur kauzën e drejtë të tyre. Liri për çlirimtarët e Kosovës! Ne jemi një komb shqiptar, nuk ka komb kosovar. Kemi lindur shqiptarë dhe do të vdesim shqiptarë. Kjo është besëlidhja e re e shqiptarëve që po bëhet sot në këtë shesh,” tha Haklaj.