1.
Vetëvendosje nuk do të duhej fare të futej në polemikë me Edi Ramën lidhur me protestën e sotme në Tiranë kundër Gjykatës Speciale. Nganjëherë përgjigjja më e mirë është: injorimi. Duhet injoruar dhe luftuar me punë çdo politikan që Kosovën e përdor për interesa të politikës ditore dhe për parada populliste. Rama ka ndërruar qëndrime ndaj Kosovës sa herë që i ka shkuar për shtati: paradite proeuropian që tallet me “atavizmat ballkanikë”, pasdite kreshnik isaboletian. Kjo edhe për një palaço është tepër, lëre më për një kryeministër të një shteti anëtar të NATO-s, i cili po bëhet gati të hyjë në BE.
2.
Më 2015 Edi Rama erdhi në Prishtinë, shpalosi përmendoren e Ismail Qemalit, u shtir si patriot i madh që do të punonte për bashkim kombëtar, ndonëse në atë ceremoni (“ishte e turpshme”, sipas diplomatëve të atëhershëm të ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë) nuk morën pjesë as kryeministri Isa Mustafa, as presidentja Atifete Jahjaga, as zëvendëskryeministri Hashim Thaçi. Të gjithë këta e shihnin veprimin e Ramës si popullizëm në përkrahje të Vetëvendosjes, e cila atëherë njihej për imazhin e saj militant dhe quhej “pasuri kombëtare” nga Edi Rama. Njëkohësisht, më 2015, Rama ishte ndër mbështetësit kryesorë të themelimit të Gjykatës Speciale.
Qortoi Hashim Thaçin pse nuk ia begenisi “Ballkanin e Hapur”. E quajti “tinëzar” kryeministrin Isa Mustafa, i cili tha se nuk ka pranuar të flasë me Ramën për “minishengenin ballkanik”. Më 2020 Isa Mustafa kështu i qe përgjigjur Ramës: “Unë nuk dëshiroj ta cilësoj, ashtu siç e meriton, sepse është kryeministër i Shqipërisë. Por, në asnjë rast nuk kemi biseduar me të dhe me të tjerët për minishengenin sa isha kryeministër”. Rama e quajti gënjeshtar kryeministrin Ramush Haradinaj dhe e krahasoi me një tip që shet mish në pazar për shkak se në një samit të liderëve të Ballkanit në Berlin më 2019 refuzonte të hiqte taksën doganore ndaj mallrave të Serbisë. Kur më 2018 pati një tentim në Kuvendin e Kosovës për ta shpërbërë Gjykatën Speciale, Edi Rama i krahasoi udhëheqësit e Kosovës të asaj kohe (Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn) me “lopën që derdh qumështin”:
“Krijimi i një problemi të tillë është sikurse lopa kur e mbush kovën e vet, pastaj ia fut shkelm dhe nuk dihet më se çka vjen mbrapa”.
3.
Në vitin 2018, Edi Rama u ngjit në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe foli për një “president të përbashkët të Kosovës e Shqipërisë”. Sot, në vjeshtën e vitit 2025, thotë se bashkimi kombëtar është “përrallë”. Pra, në harkun e një dekade, Edi Rama ka lëvizur nga nacionalizmi i përzier me tym të skarës me qofte tek pragmatizmi cinik, sipas motit politik që i ka fryrë Tiranës: nëse më leverdis loja me patriotizëm, e luaj, nëse jo, tallem kot me ballkanasit e prapambetur, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës.
4.
Por çdo medalje i ka dy anë: Albin Kurti nuk është i pafajshëm në këtë lojë të fjalëve të mëdha. Pjesëmarrja e tij në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, si dhe premtimi dikur se me ardhjen në pushtet do të ndryshojë Kushtetutën për ta bërë të mundur bashkimin kombëtar, e bën atë pjesë të së njëjtës skemë, të të njëjtit yrnek: keqpërdorues të patriotizmit për beteja të politikës ditore. Kur patriotizmi përdoret si rekuizitë elektorale, përfundon i shfrytëzuar e i zbrazët nga çdo përmbajtje. Të qeverisësh mirë është më vështirë, të mirëmbash autostradën e Kosovës, të ndërtosh infrastrukturën, ta bësh efikase administratën dhe të zhvillosh ekonominë – këto janë punë të zorshme për ata që pëlqejnë të mbajnë ligjërata patriotike. Andaj partia e Kurtit përzihet në politikën shqiptare në Maqedoni dhe mendon se duke i kontrolluar me subvencione disa politikanë shqiptarë në Luginë të Preshevës do të zgjidh problemet e shqiptarëve të atjeshëm.
Një betejë qesharake konkurruese mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës po zhvillohet mes Kumanovës dhe Strugës. Kur merr pjesë ndonjë eksponent i VV-së në një tubim të partive shqiptare në pushtet në Maqedoni, menjëherë mobilizohet Tirana për ta nderuar Ali Ahmetin – herë doktor honoris causa, herë qytetar nderi i Tiranës. Spektakël. Ose gallatë, siç do thoshin në Tiranë. Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni ishte kontraproduktive, sepse ata që i mbështeti nuk po arrijnë të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme pozitën e shqiptarëve, madje në disa fusha ka regres dhe shpesh poshtërohen e trajtohen si vasalë nga kryeministri aktual në Shkup. Por edhe atje, te shqiptarët e Maqedonisë, ekziston ana tjetër e medaljes: duke qëndruar mbi dy dekada në pushtet partia e Ali Ahmetit u zbeh, u zhyt në skandale dhe humbi shumë mbështetje. Po të ishte gjithçka në rregull, atëherë njëri nga të përkëdhelurit e Ahmetit, Artan Grubi, nuk do të ishte në listën e zezë amerikane, nuk do të kishte ikur nga Maqedonia dhe nuk do të ishte strehuar në Shqipëri. Sidoqoftë, betejën për pushtet shqiptarët e Maqedonisë duhet ta zhvillojnë në garë mes tyre, pa ndërhyrje nga Kosova (apo Shqipëria).
5.
Tre vite më parë, Edi Rama mbajti në Këshillin e Evropës një fjalim me përbetime për ta zhbërë Gjykatën Speciale që po dëmtonte figurat e UÇK-së. Sot, pas gjithë këtij zhurmimi, asgjë s’ka ndryshuar. Gjykata Speciale vazhdon të funksionojë.
Në vitin 2018, një grup deputetësh, kryesisht nga PDK, nënshkruan iniciativën për ta shfuqizuar ligjin e Gjykatës Speciale. Presioni ndërkombëtar e ndali atë nismë në minutën e fundit. Disa nga ambasadorët e QUINT-it shkuan në parlamentin e Kosovës dhe ndërhynë gati fizikisht, duke paralajmëruar se çdo hap kundër gjykatës do të dëmtonte marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në. Një deputet i LDK-së atëherë kështu ma pati përshkruar situatën: “Grupin tonë parlamentar e futën në një sallë dhe na kërcënuan se të nesërmen tërhiqen trupat amerikane nëse e shfuqizojmë gjykatën”. Në nëntor të vitit 2019, Thaçi i shkroi Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, duke i kërkuar Washingtonit të ndryshonte mandatin dhe selinë e gjykatës. Në një përgjigje që u bë publike në media, Pompeo përsëriti mbështetjen e qeverisë amerikane për gjykatën dhe tha se Kosova do të përballej me pasoja nëse nuk bashkëpunonte. Ndryshimi i veçorive kyçe të gjykatës, tha ai, “do të dëmtonte seriozisht besueshmërinë dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës … dhe do të errësonte të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes euroatlantike dhe e komunitetit ndërkombëtar”.
Meqë askush nuk ka guxim të fillojë një procedurë në Kuvendin e Kosovës për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale nga frika se kjo do të shkaktonte një përplasje serioze me Perëndimin, kacafytjet po zhvillohen në nivelin e ligës lokale: me akuza të ndërsjella për tradhti, spiunim për Serbinë e çka jo tjetër. Kjo është lojë e lehtë dhe primitive.
Më 14 maj 2025 ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, shkroi në Facebook: “Ashtu siç Mbretëria e Bashkuar e mbështeti Kosovën në vitin 1999, ne vazhdojmë të mbështesim sundimin e ligjit në Kosovë dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara si pjesë integrale e sistemit të saj juridik”. Nga fronti patriotik nuk pipëtiu askush. Heshtje totale.
Në këtë vorbull deklaratash e akuzash, shquhet ndoshta vetëm një deklaratë e pjekur nga e kaluara. Para se të nisej për në Hagë kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha: “Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Specialen s’e shoh si fyerje, por si mundësi për t’i dhënë fund thashethemeve”.
6.
Kur doli raporti shumë problematik dhe i rrezikshëm i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, politikanët prijës të Kosovës nuk ishin të vetëdijshëm për pasojat. Një mundësi do të ishte që kush përmendet në raport, të tërhiqet nga posti politik me një kusht: që gjykata për trajtimin e akuzave të ketë selinë në Kosovë dhe të drejtohet edhe nga gjykatës e prokurorë vendorë. Kjo do të ishte një përpjekje për t’ia marrë nismën nga dora bashkësisë ndërkombëtare. Por në vend të kësaj, u zgjodh një rrugë tjetër. Në atë kohë, politikanët kryesorë të Kosovës thoshin publikisht: “Unë jam i hapur për hetime të tjera”. “Propozoj komision ndërkombëtar ekspertësh”. “Shtetet perëndimore mund ta bëjnë më mirë mbrojtjen e dëshmitarëve”. Pra, Kosova – nëpërmjet politikanëve të saj – vetë e pranoi se nuk kishte kapacitete për t’u përballur me një kapitull të historisë së saj. Procesi në Hagë nxori në sipërfaqe joseriozitetin e disa libërshkruesve, të cilët pasi u krekosën mbi 20 vjet me prodhimet e tyre prej letre, shkuan në sallën e gjyqit dhe thanë se veprat e tyre nuk duhet të merren seriozisht. Veç sa nuk thanë: “Hajgare kemi bë”. Kështu dëmtuan si të akuzuarit ashtu edhe veten.
7.
Në debatet mbi Gjykatën Speciale shpesh tregohet gjysma e së vërtetës. Zanafilla e saj gjendet te një hulumtim i disa gazetarëve amerikanë për gjoja “tregti me organe”. Por meqë ata s’patën asnjë fakt për këtë, vetëm supozime, hoqën dorë nga botimi i artikullit. Indikacionet e tyre i dorëzuan në misionin e OKB-së, UNMIK, i cili zhvilloi hetime dhe nuk gjeti asgjë relevante. Në vitin 2008, ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës Carla Del Ponte, e cila nga papërgjegjësia dhe paaftësia e prolongoi aq shumë procesin kundër Sllobodan Millosheviqit, saqë ky kriminel lufte vdiq në burg pa vulën e aktgjykimit që do ta shpallte të tillë, pra më 2008 juristja zvicerane botoi një libër bashkë me një gazetar kontravers amerikan të quajtur Chuck Sudetic, ku e përmendi hulumtimin e gazetarëve amerikanë, natyrisht pa ndonjë dëshmi të re. Kaq mjaftoi që çështja të bëhet temë në Këshillin e Evropës dhe me nismën e një përfaqësuesi të Rusisë kjo organizatë emëroi politikanin zviceran Dick Marty për të hulumtuar akuzat. Marty ishte i rrezikshëm për Kosovën për dy arsye: në disa intervista në mediat zvicerane ishte deklaruar kundër pavarësisë së Kosovës dhe njëkohësisht ai ishte i dekoruar nga qeveria amerikane për punën e tij si prokuror zviceran kundër grupeve kriminale dhe mafies italiane.
Thashethemes mbi “trafikun e organeve” Marty i dha peshë më të madhe kur në dhjetor 2010 prezantoi raportin e tij mbi trajtimin çnjerëzor të personave gjatë luftës së Kosovës. Ky raport u miratua nga Këshilli i Evropës. Fakte prapë s’kishte, por operacioni për ndërtimin e rrëfimit po funksiononte. Shumë diplomatë nisën të besojnë se diçka mund të ketë këtu, pasi që një muaj para se të publikohej raporti i Martyit, një prokuror i EULEX-it ngriti aktakuzë ndaj pesë kosovarëve për shkak se dyshoheshin se kishin joshur 20 shtetas të huaj me premtime të rrejshme dhe në një klinikë afër Prishtinës ua kishin marrë organet. Ky krim, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në vitin 2008. Viktimat thuhej se vinin nga Moldavia, Kazahstani, Rusia dhe Turqia. Një viktimë, sipas revistës gjermane “Der Spiegel”, e lëshuan këmbët në aeroportin e Prishtinës. Një ndër dështimet më të mëdha të autoriteteve të Kosovës ishte edhe ky: tolerimi i një klinike të tillë në Fushë Kosovë, e cila me veprimtarinë e saj çonte ujë në mullirin e propagandës se në Kosovë po vazhdonte një praktikë që ishte nisur gjatë luftës. Prapë: dëshmi për këtë vazhdimësi nuk ka, por cunami i propagandës është i pamëshirshëm dhe ka potencial të hedh në ajër një klasë politike, kur ajo nuk është në nivel të përgjegjësisë publike.
8.
Gjykata Speciale nuk do të themelohej pa ndërhyrjen bukur brutale të diplomacisë amerikane. Një këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi tani thotë: “U themelua nën presionin e Hillary Clinton dhe Joe Biden, të cilët dëshironin t’i bënin një favor Serbisë për t’i ndrequr raportet me Beogradin”. Në gusht të vitit 2016 nënpresidenti amerikan Joe Biden vizitoi Beogradin dhe – sipas agjencisë së lajmeve Reuters – “u shprehu ngushëllime serbëve që humbën të dashurit e tyre në sulmet ajrore të NATO-s të udhëhequra nga SHBA gjatë konfliktit të Kosovës në vitin 1999”. Gjatë kësaj vizite Biden doli për të shëtitur me kryeministrin e atëhershëm serb Aleksandar Vuçiq në lagjen Skadarlija në Beograd. Duke kaluar pranë shitësve të suvenireve, Bidenit i pëlqyen një palë opinga të fshatarëve serbë. Pyeti se kush i shiste dhe sa kushtojnë. “70 euro”, tha shitësi. Biden deshi të paguajë, por ndërhyri Vuçiqi, i cili nuk po e gjente kuletën, prandaj pagoi këshilltarja e tij. Më vonë u kuptua se shitësi ia kishte futur Vuçiqit: opingat nuk kushtonin 70 euro, por 33.
9.
Menjëherë pas publikimit të raportit të Dick Martyit u caktua një prokuror amerikan – Clint Williamson – për të verifikuar akuzat. Në fund të korrikut 2014 Williamson e prezantoi raportin e tij në Bruksel. Edhe Williamson e vazhdoi këngën e vjetër, kur tha: “Ka tregues bindës se kjo praktikë (e marrjes së organeve) vërtet ka ndodhur në një shkallë shumë të kufizuar dhe se një numër i vogël individësh u vranë me qëllim të nxjerrjes dhe trafikimit të organeve të tyre”. Ndërkohë nga “treguesit bindës” të Williamsonit nuk ka mbetur asgjë. Gjykata Speciale hasi në vështirësi për të përpiluar aktakuzën. Iu deshën 5 vjet për të prezantuar një aktakuzë me 10 pika. “Tregtia me organe” aty nuk përmendet fare, por rinumërohen krime të tjera të dënueshme si vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë. Fakti që Gjykatës Speciale iu desh një gjysmë dekade për të shkruar aktakuzën, është shenjë e qartë se kishte probleme në sigurimin e dëshmive për fajësimin e të akuzuarve. Nga këndvështrimi i rezonit shtetëror dhe fatit personal të të akuzuarve, çdo kosovar do të mirëpriste lirimin e të akuzuarve.
Pafajësia e dëshmuar edhe në gjykatë do të provonte edhe njëherë legjitimitetin e kryengritjes së armatosur kundër regjimit shtypës të Sllobodan Millosheviqit. Por rezoni shtetëror përplaset këtu me qëndrimin e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët thonë se Gjykata Speciale është themeluar për viktimat dhe ato meritojnë drejtësi, dëmshpërblim dhe satisfaksion. Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së vetë Hashim Thaçi kishte thënë se nuk e përjashtonte mundësinë që ndonjë kryengritës të ketë keqpërdorur uniformën e UÇK-së.
Clint Williamson nuk merret më me Kosovën. Ai shërben aktualisht si Koordinatori Kryesor i Grupit Këshillues për Krime Mizorie për Ukrainën, një nismë e përbashkët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar. Një lidhje me Ballkanin e ka ruajtur: është Arbitri Kryesues i Tribunalit të Arbitrazhit të distriktit të Bërçkos në Bosnjë-Hercegovinë. Pasojat e raportit të tij lidhur me Kosovën, ndërkaq, kanë mbetur.
Dick Marty vdiq në fund të vitit 2023. Kërkesat e përsëritura nga ana ime mbi një intervistë ballafaquese ai i refuzoi në mënyrë të vazhdueshme. Pas publikimit të raportit të tij, kryeministri i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi e krahasoi Martyin me propagandistin nazist Joseph Goebbels dhe paralajmëroi padi ndaj tij. Kjo nuk ndodhi. Sali Berisha, atëbotë kryeministër i Shqipërisë, doli në foltoren e Kuvendit dhe në stilin e tij tha pak a shumë se kur shqiptarët ishin komb i përparuar, paraardhësit e Dick Martyit po kërcenin nëpër degë lisash. Mesazhi ishte i qartë: shqiptarët e civilizuar kundër majmunëve helvetikë. Natyrisht, edhe kështu mund të bësh politikë, por jo politikë serioze kundër një raporti problematik.
10.
Në debatet publike shqiptare, të cilat zhvillohen lidhur me Gjykatën Speciale roli thelbësor i Clint Williamsonit kryesisht heshtet. Krejt mallkimet drejtohen ndaj Dick Martyit, por tabloja e së vërtetës nuk është e plotë nëse nuk potencohet edhe kërkesa eksplicite dhe presioni i paparë nga Washingtoni për themelimin e Gjykatës Speciale. Në këto rrethana politikanë si Thaçi dhe Veseli pranuan të pashmangshmen: themelimin e një gjykate sipas ligjeve të Kosovës, por me seli në Hagë dhe me personel krejtësisht të huaj (me përjashtim të përkthyesve). A do të mund ta pengonin? Ndoshta përkohësisht – derisa bashkësia ndërkombëtare të themelonte një gjykatë ndërkombëtare nëpërmjet OKB-së, ku anëtarë të ekipit të prokurorëve apo trupit gjykues do të ishin edhe shtetas rusë apo kinezë, pra nga vende që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Të mbështetur për muri, Thaçi dhe Veseli zgjodhën rezonin shtetëror para fatit personal. Vetëvendosje, ndërkaq, vazhdon të thotë se ka qenë konsekuente kundër Gjykatës Speciale. Kjo është e drejtë e saj, por ky qëndrim nuk mund të shitet si heroizëm i madh, sepse çmimi që do paguante Kosova në rast se do të refuzonte të trajtojë akuzat që buronin nga Raporti i Këshillit të Evropës do të ishte shumë i lartë. Duhet përsëritur: indikative është se asnjë parti në Kosovë, përfshirë Vetëvendosjen dhe PDK-në, nuk po merr guxim të shkruajë një rezolutë, ta hedh për votim në parlament dhe ta zhbëjë Gjykatën Speciale. Ndoshta edhe liderët e partive të mëdha (VV, PDK e LDK) po sillen siç silleshin Thaçi e Veseli dikur: rezoni shtetëror është më i rëndësishëm se metodat politike harakiri.
11.
Në debatet e tanishme publike shqiptare heshtet edhe për raportin e Jean-Charles Gardettos, deputet i Këshillit të Evropës nga Monako. Ky raport u miratua më 2011 dhe nënvizoi mungesën e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë. Aty flitej për dëshmitarë që ndërronin dëshmi, që zhdukeshin, që vriteshin. Gardetto shkruante se “pa mbrojtje reale të dëshmitarëve, nuk ka drejtësi, por frikë”. Dhe nga ajo frikë, në fakt, u ushqye justifikimi perëndimor për ta vendosur drejtësinë jashtë kufijve të Kosovës – me miratimin e udhëheqësve më të lartë në Prishtinë.
Këtë projekt perëndimor kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka përkrahur në mënyrë aktive dhe shpesh edhe me gjuhë të vrazhdë. Gjuha është prej tuli, shkon nga t’i japësh. Njëherë mund ta quash Donald Trumpin president të rrezikshëm për botën, siç ka bërë Rama, pastaj fat të madh për Evropën, mandej të tallesh me të për ndërprerjen e luftës mes “Albania and Armenia”, e kur e sheh se situata mund të dalë nga kontrolli sepse mund të mllefoset Trumpi, çohesh e shkruan një roman në rrjetin X për të kërkuar falje, për t’u gjunjëzuar dhe kërkuar që të mos mbiinterpretohet një “shaka mes miqsh”.
Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë ndaj diçkaje që e ndiejnë si të padrejtë. Mund ta bëjnë këtë edhe në Tiranë, por kur të kthehen në Kosovë do ta kuptojnë (nëse nuk e kanë kuptuar tashmë) se nga buxheti i Kosovës vetëm nga viti 2021 janë ndarë 31 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: sa ka dhënë qeveria e Edi Ramës për ish-politikanët e Kosovës që i quan heronj kombëtarë? Nëse ndonjëri protestues vendos të kalojë fundjavën në Shqipëri, kur të kthehet do të duhet të paguajë te trau i autostradës. Falas ishte vetëm ardhja në protestë. Kështu funksionon fast-food-patriotizmi për fushata elektorale.