Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka përkujtuar sot dyvjetorin e themelimit me një ceremoni ku morën pjesë anëtarë, mbështetës dhe themelues të nismës. Gjatë aktivitetit, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, u ndal te rrugëtimi politik që nisi dy vite më parë nga Mirdita, me vetëm 25 persona që, sipas tij, “i hynë detit në këmbë” me besimin se ndryshimi është i mundur.
Lapaj pranoi se rrugës janë bërë edhe gabime, por i cilësoi ato si dëshmi të përpjekjes për një të ardhme më të mirë. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen përballë sistemit dhe të besojnë në fuqinë e tyre për të ndryshuar realitetin.
“Sa më shumë na lufton sistemi, aq më shumë duhet të luftojmë, sepse jemi duke bërë gjënë e duhur,” tha ndër të tjera Lapaj, duke i nxitur shqiptarët të shpresojnë dhe të veprojnë për një Shqipëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.