Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar publikisht përfshirjen e drejtuesve të lartë të administratës shtetërore në fushatën zgjedhore të Ogerta Manastirluit, si kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës. Këlliçi përmend dy drejtoresha të Ministrisë së Arsimit, Mirela Cami dhe Matilda Shabani, të cilat sipas tij janë angazhuar si “patronazhistë” në fushatën e Ogerta Manastirliut.
Postimi i plote
Fushata për Tiranën: Shkelja e ligjit me të dyja këmbët dhe militantizmi i administratës!
Në fushatën qeveritare për Bashkinë Tiranë vihen re katër Drejtorë të Përgjithshëm tek Ministria e Arsimit, Mirela Cami, Matilda Shabani, Anisa Subashi dhe Entel Agolli!
Ndërkohë që do duhej të ushtronin detyrat e tyre në shërbim të rritjes së cilësisë së arsimit në vend, drejtoreshat përfshihen në fushatën e ish shefes së tyre Ogerta Manastirliut, si patronazhiste të rëndomta!
Plotësisht në shkelje të Ligjit për Nëpunësin Civil, aq më tepër për drejtuese të nivelit të lartë.
Kjo politikë e mbrapshtë e “partisë mbi Shqipërinë” është arsyeja e qartë e rënies drastike në testin PISA, zbrazjen e klasave të mësimit dhe auditoreve, rrezikun e mbylljes së fakulteteve shkencore dhe performancën e vazhdueshme të ulët të sistemit tonë arsimor.
Personalisht denoncoj me forcë vënien në rresht të administratës për fushatën e Tiranës, nga niveli më i lartë e deri tek ai më i ulët.
Militantizmi, fanatizmi partiak, servilizmi dhe patronazhimi nuk mund të jenë kurrë baza të shëndetshme për një administratë funksionale në shërbim të shtetit dhe shoqërisë.
Ne kërkojmë marrjen e masave urgjente për pezullimin nga detyra dhe madje ndjekjen penale të kujtdo që shkel ligjin ditën për diell.
Historia e keqpërdorimit të administratës publike dhe shndërrimin e saj në një formacion partiak duhet të marrë fund!








