Shtatë persona janë shoqëruar në Polici gjatë operacionit policor të zhvilluar më 19 tetor në Zveçan dhe Zubin Potok, bëri të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës. Operacioni kishte të bënte me hetimin lidhur me vrasjen e një zyrtari të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) më 2013.
“Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, u tha në njoftim.
Prokuroria Speciale tha se gjatë bastisjeve në nëntë lokacione – shtatë në Zubin Potok dhe dy në Zveçan – ka sekuestruar disa prova materiale: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme e të tjera.
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës”, u tha në njoftim.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila kishte parashtruar kërkesën në gjykatë për këtë operacione, bastisjet u kryen për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale: “rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”./REL