Një vit pas inaugurimit, qendra për emigrantët në Shqipëri sipas një artikulli të publikuar nga La Repubblica, po rezulton një projekt tejet i kushtueshëm dhe thuajse i paefektshëm.
Më 22 gusht, në qendrën për emigrantët në Shqipëri kishin mbetur vetëm nëntë persona. Dhjetë ditë më parë ishin shtatëmbëdhjetë.
Gjatë gjithë verës, numri mesatar nuk e ka kaluar kurrë njëzetën, dhe në total pak më shumë se njëqind emigrantë janë strehuar aty brenda një viti.
Ndërkohë, sipas planit fillestar, pritej që të strehoheshin 3 mijë persona në muaj, një diferencë e madhe që ka bërë që projekti të cilësohet si një dështim i kushtueshëm.
Sipas dokumenteve të protokollit Itali–Shqipëri dhe planifikimit qeveritar, për funksionimin e dy qendrave (në Gjadër dhe Shëngjin) janë parashikuar 653 milionë euro për pesë vite.
Kjo përfshin ndërtimin e qendrave, kontratën me operatorin Medihospes, shpenzimet për misionet e policisë dhe kostot e larta të transportit me anije dhe avionë nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas. Kjo përkthehet në mbi 130 milionë euro në vit.
Duke marrë parasysh se deri më 25 korrik kanë kaluar vetëm 111 emigrantë nëpër këto qendra, kostoja për person kap vlerën astronomike prej mbi një milion euro.
Ky është çmimi që, sipas raportit të Altraeconomia, kanë paguar taksapaguesit italianë për një projekt që Gjykata e Drejtësisë së BE-së ka vendosur se nuk mund të përdoret për të ndaluar azilkërkuesit nga vende të sigurta.
Për më tepër, sipas të njëjtit raport, Medihospes, kompania që fitoi menaxhimin e qendrave për 133 milionë euro për dy vitet e para, nuk ka nënshkruar ende kontratën me prefekturën e Romës, edhe pse kanë kaluar 17 muaj nga përfundimi i tenderit, kur afati maksimal për finalizimin e kontratës ishte 60 ditë.