Ndalimi i avokatit Ulian Barjami më 18 tetor, pas përplasjes së tij me prokurorin Gjergji Ceka gjatë seancës për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 të arrestuarit në një lokal në Elbasan, ka shkaktuar reagime të ndryshme.
Juristi Kreshnik Spahiu ishte i ftuar në emisionin “5Pyetjet” në Report TV për të komentuar këtë ngjarje.
Sphiu shprehu shqetësime lidhur me rolin e prokurorisë dhe sjelljen e avokatëve gjatë procesit.
“Nëse kjo çështje do të shkonte në favor të prokurorisë, atëherë do t’i jepnim asaj një superfuqi që nuk i takon. Një nga problemet kryesore që mbartin sot në përfaqësimin e avokatëve është mungesa e profesionalizmit dhe etikës. Mendoj se ky debat është zhvilluar qëllimisht në një gjuhë të fortë, që nuk i shkon për shtat profesionit tonë. Kjo periudhë duhet trajtuar me masa disiplinore dhe një rivlerësim të etikës në Dhomën e Avokatëve. Kam ndjekur me vëmendje Dhomën e Avokatëve pas ngjarjes së Kalasë dhe mendoj se ne vetë jemi fajtorë që i japim të drejtë klientëve tanë pa marrë parasysh fajin e tyre. Kjo çështje kërkon një trajtim shumë të kujdesshëm. Shqipëria është në vendin e dytë pas Rusisë për numrin e arrestimeve, dhe në këtë drejtim ka një tejkalim të rolit të prokurorisë. Para vitit 1995, kur kam punuar si gjyqtar, situata ishte ndryshe,” shprehet Spahiu.