Gjatë Konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, theksoi disa probleme shqetësuese në sistemin e drejtësisë, të evidentuara që me marrjen e detyrës.
Ai nënvizoi se rreth 60% e të burgosurve janë në pritje të një vendimi gjyqësor, duke theksuar se qëndrimi në paraburgim për periudha të gjata shkakton padrejtësi të mëdha për personat dhe familjet e tyre.
Një tjetër shqetësim i ministrit është përdorimi i kufizuar i ndërmjetësimit si metodë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve civile dhe familjare. Vitin e kaluar, vetëm një gjykatë në gjithë vendin referoi qytetarët në këtë mekanizëm, edhe pse ndërmjetësimi ka një sukses prej 85-90% në rastet ku aplikohet.
Lamallari gjithashtu bëri thirrje për eksplorimin e metodave alternative si arbitrazhi, pajtimi dhe përdorimi i teknologjisë, si në vendet me demokraci të konsoliduar, për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjeve dhe për të rritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.