Në politikën dhe mediat shqiptare të sotme, metafora është bërë një mjet për të fshehur boshllëkun e analizës, jo për ta ndriçuar realitetin.
Analistët e vetëshpallur, që shpesh janë më shumë interpretues retorikë sesa njohës të strukturave të pushtetit, përdorin fjalë të mëdha nga letërsia për të krijuar iluzionin e thellësisë — por në fakt, ajo që ndodh është një shkarje nga kuptimi në figurë.
1. Nga letërsia në opinion: kur metafora humb referencën
Letërsia e madhe – ajo e Camus-së, Kafkës, Orwell-it, Migjenit, Kadarese – është ndërtuar mbi përvojën ekzistenciale dhe filozofike të individit.
Por kur një analist e përdor metaforën e “Kështjellës së Kafkës” për të shpjeguar korrupsionin në një ministri, ose “mitin e Sizifit” për fushatën elektorale, apo Trumcakun e Migjenit për ta shpjeguar mjerimin politik ai shpesh nuk e njeh kontekstin ontologjik të këtyre figurave.
Në vend të analizës së strukturës së pushtetit, ai ofron poezi a prozë poetike të keqkuptuar.
Kjo është ajo që Umberto Eco e quante “mbiinterpretim”: kur lexuesi nuk kërkon meszhin e autorit, por një pretekst për të dëgjuar veten.
2. Kultura e huazimit pa kuptim
Në hapësirën shqiptare, sidomos pas viteve ’90, është krijuar një kulturë e citimit pa zotërim.
Shumë analistë përmendin Hannah Arendt-in pa e lexuar “Eichmann in Jerusalem”, përmendin Gramshin pa njohur “Prison Notebooks”, dhe flasin për “realpolitikën” pa lexuar asnjëherë Bismarck-un apo Morgenthau-n.
Kështu, metafora bëhet monedhë e pavlerë, një ornament për të mbuluar mungesën e kompetencës.
Ky fenomen nuk është thjesht stilistik — është simptomë e mendimit postmodern provincial, ku ideja nuk lind nga përvoja empirike apo njohja e strukturës, por nga dëshira për të tingëlluar se personi në fjalë I përket elitës intelektuale.
3. Pse “ia huqin keq”
Ka tre arsye kryesore pse analistët shqiptarë shpesh dështojnë në përdorimin e metaforës:
- Mungesa e njohjes kontekstuale
Metafora të tilla si “Pallatit të ëndrrave” apo “Makineria Orwelliane” përdoren pa e ditur se në esencë këto janë metafora të alienimit, jo të pushtetit burokratik per se.
Shprehja “metafora e alienimit” nënkupton përdorimin e një figure letrare (ose simboli kulturor) për të përshkruar gjendjen e tjetërsimit/t’huajsimit — pra, momentin kur njeriu (apo një shoqëri e tërë) shkëputet nga vetvetja, nga vlerat e veta, nga rrënjët, apo nga kuptimi i ekzistencës.
Në thelb, është një shprehje poetike e përvojës së tjetërsimit.
Metafora e alienimit ka rrënjë tek Hegeli, Marksi dhe më vonë SartrI e Kamy.
Për Hegelin: njeriu “shkëputet nga vetja” në procesin historik; për Marksin: punëtori i t’huajësohet punës së vet — krijon diçka që nuk i përket më atij; për ekzistencialistët: individi ndjen boshllëk dhe kupton se bota nuk i përgjigjet dot pyetjeve të tij.
Në kontekstin shqiptar, metaforat e alienimit përdoren për të përshkruar: humbjen e identitetit kombëtar ose kulturor përballë ndikimeve të huaja; shkëputjen e elitave nga populli — pra kur politikanët, intelektualët apo artistët flasin një “gjuhë tjetër”, të pakuptueshme për shumicën; varësinë mendore dhe simbolike nga Perëndimi apo Lindja, që krijon ndjenjën e mos-përkatësisë.
- Shkarja nga analiza drejt moralizimit
Në vend të sqarimit të një procesi politik, analisti përpiqet të ngrejë një moral letrar, duke e zëvendësuar faktin me ndjenjën.
Kur faktet — të dhënat, ngjarjet e verifikuara, burimet e besueshme — zëvendësohen me ndjenja, pra me reagime subjektive, simpatira partiake apo emocione, analiza pushon së qenë analizë.
Ajo kthehet në propagandë ose ese sentimentaliste.
Në diskursin politik shqiptar, ndjenja shpesh zë vendin e argumentit: analistët flasin me “pëlqim” a “urrejtje” për liderët, jo me analizë të veprave; mediat mbështesin “kampin” e tyre emocional, jo të vërtetën; qytetari informohet më shumë përmes narrativës, jo verifikimit.
Në këto kushte, humbja e drejtimit analitik është e garantuar.
Sepse kur mungon themeli teorik – njohja e paradigmave të politikës, e proceseve institucionale, e historisë së ideve – analiza kthehet në rënditje përshtypjesh.
Analisti nuk është më interpretues i realitetit, por krijues i një realiteti imagjinar, të ndërtuar mbi perceptime.
Në vend që të ndihmojë publikun ta kuptojë politikën, ai e shtrembëron atë, duke ushqyer ndasi, keqkuptime e iluzione kolektive.
Ky deficit i mendimit ka pasoja të thella: deformon perceptimin qytetar për politikën; minon besimin në analizën publike; prodhon një elitë diskursive të pavetëdijshme, që flet në emër të racionalitetit, por vepron në bazë të instinktit respektivisht në mbështetje të axhendave politike përkatëse.
Në thelb, kjo është një krizë e kulturës së mendimit kritik, jo vetëm e profesionit të analistit.
- Kompleksi i legjitimitetit intelektual
Në mungesë të formimit të thellë teorik, shumë komentues kërkojnë ta fitojnë respektin e publikut përmes “fjalëve të mëdha” – citime nga Nietzsche-s, Sartrit, Migjenit apo Kadaresë – që përdoren si alibi mendimi.
Në mungesë të një formimi të thellë teorik, sidomos në rrafshin e mendimit politik, filozofisë politike dhe epistemologjisë së analizës, këta analistë zhvillojnë një diskurs që mbështetet më tepër në intuitë, përshtypje dhe emocione sesa në strukturë logjike e dije.
Në thelb të këtij fenomeni qëndron kompleksi i legjitimitetit intelektual: shumë nga këta analistë e ndjejnë boshësinë teorike të vetes, por për ta mbuluar, përdorin fjalor të ndërlikuar, metafora të huazuara nga letërsia, apo referenca të pasakta nga filozofia dhe historia.
Në vend që të kuptojnë realitetin, ata e zbukurojnë atë me fjali të mëdha, duke e bërë më të paqartë.
Ky kompleks nuk është vetëm personal – është edhe sistemik: media kërkon “zëra që ndezin debat”, jo “mendje që ndriçojnë kuptimin”.
Kështu, në vend të argumentit, kërkohet efekti; në vend të dijes, zhurma.
4. Nga metafora te analiza – rruga e munguar
Metafora është e vlefshme vetëm kur buron nga njohja e realitetit konkret.
Në analizën politike, ajo duhet të ndihmojë për të qartësuar procesin, jo për ta mjegulluar.
Për shembull, kur Hannah Arendt flet për “banalitetin e së keqes”, ajo nuk përdor një metaforë estetike, por përshkruan mekanizmin burokratik të krimit politik.
Ky është dallimi midis metaforës së përjetuar dhe metaforës së zbukuruar.
5. Përfundim: nevoja për një etikë të gjuhës publike
Në kulturën publike shqiptare ka ardhur koha për të rivendosur etikën e fjalës.
Fjala duhet të jetë përshkruese, jo përfaqësuese e një poze intelektuale.
Metaforat duhen rikthyer në vendin e tyre të natyrshëm: si mjet shpjegimi poetik të së vërtetës, jo si zbukurim të boshllëkut.
Nëse në çdo shoqëri të pjekur, analisti është urë midis dijeve dhe publikut, në kontekstin shqiptar ai është shndërruar në masë të ndjeshme në mjegull midis realitetit dhe së vërtetës.
Pa formim teorik, pa përvojë kërkimore, dhe pa etikë intelektuale, analiza kthehet në një akt të kotë estetik – një fjalim bosh që tingëllon bukur, por nuk thotë asgjë.
Prandaj, siç do të shprehej një mendimtar bashkëkohor: “Në epokën e zhurmës, heshtja e dijes është luks që nuk guxojmë ta lejojmë.”