Arrestimi në Tiranë i shumë të kërkuarit Aldo, alias Elidon Avdyli, po tërheq vëmendjen e SPAK-ut për një çështje të rëndësishme publike: zhdukjen misterioze të biznesmenit Ervis Martinaj që nga gushti i vitit 2022.
Dosja, që aktualisht është pezulluar në Prokurorinë e Lezhës, përfshin akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” dhe deri më tani hetimet nuk kanë sjellë rezultate konkrete, përveç disa kontrolleve në banesat e të afërmve të Avdylit.
SPAK po kërkon tërheqjen e dosjes për ta hetuar më thellë, duke planifikuar pyetjen e Aldo Avdylit në burg. Ky zhvillim mund të ndihmojë në zbardhjen e një prej mistereve më të mëdha të krimit në Shqipëri.
Aktualisht, Avdyli akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e Durim Bamit dhe vrasjen me paramendim të Edmir Bregut, të dy pjesë e një grupi kriminal me 16 persona. Gjithashtu, është sqaruar se Avdyli është kushëriri i Astrit Avdylit, jo nipi siç është raportuar gabimisht në media.