Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për masën “arrest në burg” ndaj Sabah Nuzit, i arrestuar në shtator me urdhër të SPAK, si i dyshuar për vrasjen e Klevis Lleshit në gusht 2020 në Burrel.
Hetimet kanë zbuluar se vrasja dyshohet të jetë kryer me pagesë 50.000 euro dhe në kuadër të një hakmarrjeje të organizuar nga Aurel Hoxha (alias Aurelinjo Kalaveri), për vrasjen e vëllait të tij në Britani në vitin 2012.
SPAK dhe BKH, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe përmes analizës së komunikimeve të koduara në platformën SkyECC, kanë zbuluar një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në pranga kanë rënë Sabah Nuzi, Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri (ky i fundit në Itali), ndërsa Aurel Hoxha është në kërkim dhe rezulton pronar i një lokali në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë.
Të ardhurat e paligjshme dyshohet se janë investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, për të fshehur origjinën kriminale të tyre.