Bota e shahut është tronditur nga lajmi i ndarjes së papritur nga jeta të mjeshtrit të madh amerikan dhe komentatorit të njohur online, Daniel Naroditsky, në moshën 29-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga Qendra e Shahut në Charlotte, ku theksohet se Naroditsky ishte një figurë shumë e dashur dhe me ndikim të gjerë në komunitetin ndërkombëtar të shahut.
Në deklaratën e familjes nuk bëhet i ditur shkaku i vdekjes, por nënvizohet humbja e një personi që frymëzoi mijëra të rinj përmes lojës, analizave dhe mësimeve të tij.
Naroditsky nisi të luante shah që në fëmijëri, i prezantuar me lojën nga vëllai i tij, dhe me kalimin e viteve u shndërrua në një nga zërat më të spikatur dhe të dashur të kësaj fushe.
Ai kujtohet si një talent i rrallë, me pasion të thellë për lojën, dhe si një mësues që e bëri shahun të afërt dhe të këndshëm për publikun më të gjerë.
/5pyetjet.al









