Një konflikt banal për një kafe në një lokal në Manëz të Durrësit ka përfunduar në tragjedi, duke lënë pas dy viktima. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës, ku humbi jetën 23-vjeçari Aranit Kurti, ndërsa u vra gjithashtu edhe Flori Paluçi, një tjetër i përfshirë në konflikt.
Sipas informacioneve nga grupi hetimor, gjithçka nisi kur Daniel Pepa dhe Aranit Kurti hynë në lokal dhe Pepa kërkoi një kafe. Kamarieri, të cilin ai e njihte, i tha se ekspresi ishte i fikur. Kjo solli një reagim të ashpër nga Pepa, i cili e ofendoi kamarierin dhe i kërkoi të ndizte makinën e kafes.
Në atë moment ndërhyri Flori Paluçi, i cili po qëndronte në tavolinë me kamarierin, duke i kërkuar Pepës të ndalonte ofendimet. Këtu nisën debatet verbale mes tyre, të cilat u përshkallëzuan shpejt në përplasje fizike dhe përdorim armësh.
Sipas të dhënave paraprake, i pari që ka qëlluar me armë ka qenë Flori Paluçi, i cili vrau Aranit Kurtin jashtë lokalit. Më pas, Daniel Pepa ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar për vdekje Paluçin. Të dy viktimat ndërruan jetë në vendngjarje.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht dinamikën dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa Daniel Pepa është shpallur në kërkim.