Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për politikën e Mbretërisë së Bashkuar ndaj emigrantëve dhe ironisë së tij për ish-sekretaren britanike Suella Braverman dhe ndaj politikanit britanik Nigel Farage, mediat angleze kanë publikuar artikuj ku i përgjigjen Ramës.
“Daily Express” shkruan se Rama kritikoi Brexit duke pretenduar se bashkëpunimi më i ngushtë përmirëson përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm ndërsa nuk kanë munguar shigjetimet edhe për Nigel Farage.
“Daily Express” citon një burim nga Ministria e Brendshme Britanike, i cili ishte në detyrë kur “dhjetëra mijëra” shqiptarë kalonin kanalin me gomone. “Edi Rama nuk ka idenë se për çfarë po flet.
Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma.
Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”, tha burimi për median britanike.
Sipas “The Mirror”, Rama u bëri thirrje politikanëve britanikë të “mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveçse për arsye shumë të mira”.