Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, deklaroi sot se sektori fason ndodhet në krizë të thellë, duke humbur mbështetjen e qeverisë dhe interesin e kompanive ndërkombëtare.
Sipas saj, qindra marka të huaja janë larguar ose kanë reduktuar prodhimin në Shqipëri, për shkak të mungesës së strategjive ekonomike, rritjes së kostove të brendshme dhe rënies së euros.
Ajo shtoi se shumë kompani po zhvendosen drejt vendeve si Tunizia, Egjipti dhe Uzbekistani.
Xhixho theksoi se mbi 70 mijë shqiptarë punojnë në këtë industri dhe rreth 400 mijë persona mbështeten financiarisht nga ajo, ndërkohë që eksportet e tekstileve dhe këpucëve kanë rënë me 16.8% në vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT.
Ajo kërkoi nga qeveria ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e monedhës euro, lehtësira fiskale për eksportuesit dhe politika që mbrojnë prodhimin vendas.








