Policia e Tiranës ka identifikuar një 27-vjeçar, A. H., si personin e dytë të përfshirë në përndjekjen e një 16-vjeçareje, e cila pak ditë më parë tentoi të dëmtonte veten për shkak të presionit psikologjik.
A. H. vepronte me urdhër të Jetmir Llanajt, 46 vjeç, aktualisht i burgosur në Peqin, me të cilin e mitura kishte pasur një lidhje përpara arrestimit të tij në mars.
Llanaj dyshohet se e udhëzoi 27-vjeçarin të ndiqte dhe të raportonte çdo lëvizje të vajzës.
Ndërkohë, nën hetim është vënë edhe nipi i 27-vjeçarit, gjithashtu i mitur, pasi dyshohet se ka kanosur vajzën nëpërmjet telefonit për ta detyruar të tërhiqte kallëzimin.
Jetmir Llanaj, i dënuar më herët për vrasje dhe aktualisht nën hetim për gjobvënie, po hetohet edhe për këtë rast. Policia ka shpallur në kërkim A. H. dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.