Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend, u përball me pyetje nga deputetja demokrate Jorida Tabaku lidhur me hetimet për çështjen e inceneratorëve, përfshirë Tiranën, si dhe për rolin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Dumani deklaroi se deri më tani janë hetuar 71 persona në kuadër të tre procedimeve penale për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, ndërsa hetimet për këtë të fundit ende nuk janë përfunduar.
“Hetimet paraprake nuk kanë përfunduar. Për ne, çdo person që ka përgjegjësi për pastrimin e produkteve penale do të hetohet. Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është i mirëpritur,” tha Dumani.
Ai theksoi se për Elbasanin dhe Fierin, gjykatat kanë konfirmuar kualifikimin ligjor të bërë nga SPAK, ndërsa shtoi se nuk do të dorëzohet përballë presioneve.
“Nuk dorëzohem, ju bëj ballë sfidave. Do të vazhdoj të jem prokuror i Republikës së Shqipërisë edhe pas mbarimit të mandatit nëse na jep Zoti jetë,” u shpreh kreu i SPAK.








