I ftuar në emisionin “5Pyetjet” nga Babaramo, juristi Kreshnik Spahiu analizoi situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po përballet me një krizë të thellë institucionale dhe mungesë të qartë të drejtimit politik.
Ai u shpreh se përplasjet mes pushtetit dhe opozitës kanë minuar proceset shtetformuese dhe marrëdhëniet me Serbinë.
“Kriza në Kosovë pritet të thellohet. Çështja është se po kalon nga një krizë në tjetrën, gjë që tregon paaftësitë shtetformuese dhe pengesat në njohjet reciproke me Serbinë. Shqiptarët në Kosovë akuzojnë opozitën si tradhtare dhe nuk votuan Kurtin. Ata kërkojnë që principi bazë të jetë ai që e krijon mazhorancën. Albin Kurti nuk pranoi të ndajë pushtetin, por kërkoi ta fitonte tërësisht. Çfarë do të ndodhë nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk merr sërish votat e duhura? A mund ta mbajë Kosova qeverinë pa Kuvend? Kurti do të dalë sërish me të njëjtin kandidat dhe pa koalicion, duke pretenduar që të mos ketë përsëri qeveri,” – tha Kreshnik Spahiu.








