Eurodeputeja Alba Kokalari mori pjesë sot në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria po kalon një moment historik dhe se e ardhmja e vendit në Bashkimin Europian varet nga veprimet e saj sot.
“Është krenari të jem këtu sot, në rrënjët e mia. Për gjenerata Shqipëria ka luftuar kundër shtypjes dhe tani ju e keni mundësinë më të madhe që Shqipërinë ta ktheni aty ku e ka vendin, në BE. Të gjithë në Bruksel flasin se duhet ta marrim Shqipërinë në BE, dhe tani është në dorën tuaj,” deklaroi Kokalari, duke inkurajuar deputetët të lënë pas mosmarrëveshjet politike dhe të miratojnë ligje që do të ndikojnë për gjenerata të tëra.
Ajo shtoi se zbatimi i ligjeve nuk është i lehtë, duke kujtuar se edhe BE-ja përballet me sfida të ngjashme, por nënvizoi rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen europiane të Shqipërisë.








