-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Tritan Shehu: Nga kriza në paqe: Roli i Ballkanit në Mesdheun e ri!

Kryesoret

Të dashur miq, përfaqësues të nderuar të Komunitetit Sant’Egidio, vëllezër dhe motra në frymën e paqes,

Jemi mbledhur këtu në një kohë kur fjala paqë tingëllon më e nevojshme se kurrë. E brishtë, e vështirë për t’u ndërtuar, por asnjëherë e pamundur. Jetojmë në një epokë ku shpejtësia e ngjarjeve, konfliktet dhe mungesa e dialogut kanë krijuar një ndjenjë lodhjeje morale. Dhe në këtë lodhje, shumë e shohin Mesdheun si një burim krize. Por unë dua që sot ta shohim ndryshe: si një hapësirë shprese.

Mesdheu, ky det që për shekuj me radhë ka lindur qytetërime, fe, tregti dhe kulturë, është më shumë se një hapësirë gjeografike. Ai është kujtesa e njerëzimit, shkolla e bashkëjetesës dhe prova e ndërgjegjes sonë. Dikur ky det bashkonte brigjet — sot shpesh i ndan ato. Por pavarësisht krizave, Mesdheu mbetet zemra që rreh mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhe nga kjo zemër duhet të fillojë rilindja e paqes.

Kur flasim sot për Mesdheun, flasim për një mozaik të ndërlikuar: për luftën në Ukrainë, që ka marrë dhjetëra mijëra jetë dhe ka ndryshuar ekuilibrat globalë; për sulmin terrorist të 7 tetorit, që tronditi botën dhe rihapi plagë të thella në Lindjen e Mesme; për dhimbjen në Gaza që ka goditur ndërgjegjen e njerëzimit; për valët e migrimit që sfidojnë kufijtë dhe zemrat tona; për varfërinë e re, për ndryshimet klimatike që po prekin jetën në brigjet tona.

Por përveç këtyre dhimbjeve, flasim edhe për mundësinë që ky det të kthehet sërish në urë bashkimi, në laborator bashkëpunimi dhe në hapësirë bashkëjetese.

Në këtë drejtim, dua të përmend një zhvillim që ka ngjallur shpresë: plani i Presidentit Donald Trump për Gazën. Një plan ky, që synon një armëpushim të qëndrueshëm, bashkëjetesë të popujve, shkëmbim humanitar të verifikueshëm, rindërtim nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe garanci sigurie për të gjitha palët.

Ky plan, nëse zbatohet me sinqeritet dhe përgjegjësi, mund të shndërrojë Gazën nga një plagë e hapur në një simbol shprese. Mund të transformojë Lindjen e Mesme nga një rajon destabiliteti, që ushqen konflikte e deri në terrorizëm, në një zonë paqeje e bashkëjetese midis popujve. Dhe më shumë se kaq, mund të shërbejë si model i ri universal për ndërtimin e paqes, që mund të frymëzojë rajone të tjera të botës.

Sepse paqja nuk është një akt i vetëm, por një proces i gjatë, që kërkon besim, garanci dhe humanizëm.

Një Mesdhe i qetë do të thotë një Europë më e sigurt, një ekonomi më e qëndrueshme dhe një njerëzim që rifiton besimin tek vetvetja. Por paqe në Mesdhe nuk mund të ketë pa stabilitet edhe në Ballkan. Ballkani Perëndimor është zemra e brishtë e kontinentit tonë, një zemër që ka njohur dhimbje e përçarje, por edhe momente të mëdha pajtimi.

Në këto dekada kemi parë se plagët e së kaluarës mund të shërohen kur ekziston vullnet politik dhe mbështetje ndërkombëtare. Por rreziku mbetet: rreziku i nacionalizmave të vjetër e të rinj, i tendencave për të ribërë kufijtë, ai i varfërisë, si dhe tashmë i krimit të organizuar.

Krimi i organizuar e trafiqet nuk janë më fenomene të fshehura; ato kanë struktura, ndikim dhe lidhje me pushtetin ekonomik e politik. Dhe kur ekonomia e paligjshme, grupet kriminale ndërthuren me institucionet, deformohet demokracia, dobësohet shteti i së drejtës, humbet besimi qytetar, lindin rregjimet neo-diktatoriale, dobësohet stabiliteti. Prandaj, lufta kundër krimit të organizuar është luftë për paqen. Sepse paqja nuk mund të ekzistojë atje ku sundojnë korrupsioni, frika dhe padrejtësia.

Në këtë udhë të ndërlikuar rajonale, Shqipëria ka një rol të veçantë. Ajo është një vend i vogël, por me simbolikë të madhe. Në një Ballkan që ka njohur ndarje e përplasje fetare, ku feja është keqpërdorur si instrument politik e burim luftrash, Shqipëria është shembulli më i pastër i bashkëjetesës ndërfetare — apo më saktë, siç ka thënë Papa Françesku, “i harmonisë ndërfetare”. Myslimanë, bektashi, katolikë e ortodoksë jetojnë në harmoni, dhe kjo është forca morale e kombit tonë, por edhe një mesazh për rajonin e më gjerë, sepse paqja fillon nga respekti reciprok.

Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, dhe shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të familjes europiane. Në këtë kuptim, integrimi europian i Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një premtim politik, por një domosdoshmëri për paqe dhe stabilitet në Mesdhe.

Bashkimi Europian është arritja më e madhe paqësore e historisë moderne – një projekt që ka lindur jo nga forca e armëve, por nga guximi për të bashkëjetuar. Ai është model universal i paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet kombeve, i ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, të drejtësisë dhe të respektit për diversitetin.

Në thelb, Europa e Bashkuar është dëshmia se nga luftërat mund të lindë bashkëpunimi, dhe nga armiqësia — miqësia. Ky model mbetet udhërrëfyes për Ballkanin, për Mesdheun, dhe për çdo rajon ku paqja duket e largët.

Le të mos harrojmë: ideali europian lindi në kampet e fashizmit dhe u ringjall pas tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, asgjë nuk është e pamundur kur synohet paqja, edhe në momentet më të vështira. Shqiptarët, që sot jetojnë në disa shtete të Ballkanit, nuk kërkojnë rishkrimin e kufijve, por zhdukjen e kuptimit të tyre përmes integrimit dhe bashkëpunimit, në atë që quhet Europa e Bashkuar.

Ballkani Perëndimor nuk është periferia e Europës, ai është porta e saj juglindore, aty ku fillon dhe mbaron siguria e kontinentit.

Të dashur miq, le ta shohim Mesdheun me sytë e Sant’Egidios — jo si një det që ndan, por si një urë që lidh. Ky det ka parë lindjen e feve, të filozofisë dhe të vetë qytetërimit. Ai mund të bëhet sërish djepi i paqes së re.

Sant’Egidio na kujton se paqja nuk është një luks për kohë të qeta, por një detyrë për kohë të vështira. Ajo kërkon guxim, durim dhe dashuri. Nuk është vetëm përgjegjësi e qeverive, por edhe e çdo qytetari, e çdo komuniteti, e çdo njeriu që beson se dialogu është më i fortë se dhuna.

Fati ynë është i përbashkët. Nëse Mesdheu humbet paqen, humbet shpresën; por nëse e gjen, ajo do të ndriçojë jo vetëm brigjet tona, por gjithë kontinentin.

Ky është misioni ynë: ta kthejmë Mesdheun nga kryqëzim krizash në kryqëzim shpresash, nga dhimbja në bashkëjetesë, nga frika në bashkëpunim, nga kriza në paqe.

Sepse nga Mesdheu filloi qytetërimi dhe nga Mesdheu mund të rilindë njerëzimi, në paqe.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit