Kombëtarja shqiptare e vajzave ka arritur një fitore të rëndësishme në ndeshjen e dytë play-out ndaj Qipros, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 në “Air Albania” dhe duke siguruar qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.
Skuadra e trajnerit Armir Grima dominoi takimin që në minutat e para. Qëndresa Krasniqi zhbllokoi ndeshjen në minutën e 16-të, ndërsa Mesuare Begallo dyfishoi rezultatin në minutën e 38-të pas një krosimi të saktë nga kapitenia Megi Doçi.
Në pjesën e dytë, vetë Doçi vulosi fitoren me një gol nga pika e bardhë në minutën e 66-të, duke çuar shifrat në 3-0.
Me këtë sukses, vajzat kuqezi konfirmojnë vendin e tyre në Ligën B dhe do të jenë sërish pjesë e saj në edicionin e ardhshëm të Nations League.








