Punonjësit e minierës së Spaçit e kanë transferuar këtë të mërkurë protestën në Tiranë. Minatorët protestuan para Ministrisë së Ekonomisë e Inovacionit si ministria përgjegjëse për marrëdhëniet e punës.
“Presioni për mbyllje apo konservim të aktivitetit mineral ka vetëm një përgjigje; përballje me ligjin shqiptar të aktivitetit minerar, Kodin e Punës dhe zbatimin e marrëveshjes koncensionare e cila fatkeqësisht është në një terr të plotë informativ për publikun, punëtorët dhe qytetarët”, thonë minatorët.
Minatorët kërkojnë njohjen zyrtare të sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punës, të cilat, sipas tyre, janë thelbësore për garantimin e kushteve më të mira të punës dhe të drejtave të tyre.
Kompania turke “Tete Albania”, e cila administron minierën, nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për dialog me përfaqësuesit e punonjësve.









