-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

REL/ Izolimi politik i Albin Kurtit, dështimi për të formuar qeverinë e re

Kryesoret

“Lëvizja Vetëvendosje është komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen…” – kështu nis kjo parti politike përshkrimin e historikut të veprimtarisë së vet në Kosovë.

E themeluar në vitin 2005, fillimisht si një lëvizje e pavarur antiestablishment, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me në krye Albin Kurtin, hyri në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010.

Nëntë vjet më vonë, nga zgjedhjet parlamentare doli si partia e parë, dhe siguroi 29 vende në Kuvend.

Lideri i LVV-së, Kurti, bashkëqeverisi me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për 51 ditë.

Qeveria e tij ra në marsin e 2020-tës, pas një mocioni mosbesimi nga partnerja qeverisëse.

Një vit më vonë, LVV-ja siguroi 58 vende në Kuvend, pasi fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kurti qeverisi i vetëm për katër vjet.

“Ai ka ndërtuar një narrativ politik të tipit ‘ne kundër të gjithëve’”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshilldhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL).

Por, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të 2025-tës, Kurti, partia e të cilit fitoi 48 vende në Kuvend, mbeti i vetëm në qëllimin për të formuar qeverinë e re.

Ai refuzoi mundësinë e bashkëqeverisjes me partinë e dytë, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Qëndrim të njëjtë pati edhe PDK-ja.

Ndërkaq, LDK-ja, si partia e tretë për nga fuqia në Kuvend, refuzoi bashkëqeverisjen me Kurtin, përkundër ofertës së tij. Kurtin e refuzoi edhe Nisma Socialdemokrate, e cila ka 3 deputetë në Kuvend.

Të gjitha partitë kanë bërë me dije se tashmë janë në pritje të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga presidentja e Kosovës.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të këtij fillimviti, Kurti synonte rezultatin e zgjedhjeve të 2021-tës, duke kërkuar 500 mijë vota nga qytetarët.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, thotë për REL-in se LVV-ja e konsideroi si të mirëqenë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021.

Por, sipas tij, sistemi elektoral në Kosovë, dhe sistemi i qeverisjes proporcionale, rrallëherë e mundësojnë rezultatin e tillë.

“Në njëfarë forme, rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021 ka qenë një aksident. Vështirë se do të kemi ndonjë subjekt politik që do t’i fitojë 50 për qind të zgjedhjeve”, shprehet Rashiti.

Ai shton se synimi i këtij rezultati e shpërfaqi edhe një herë narrativin polarizues të LVV-së ndaj partive të tjera, të cilin e kishte aplikuar edhe përgjatë katër vjetësh qeverisje.

Rashiti kujton se një narrativ i tillë ishte karakteristik në përplasjet ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në dekadën e parë të këtij shekulli.

Ndërsa këto dy parti kanë lëvizur drejt normalizimit të narrativit, LVV-ja e bëri të kundërtën, thotë ai.

“Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur vonë në pushtet dhe ka ardhur me një narrativ të vonuar, i cili i ka shkaktuar telashe. Ky narrativ është zhvilluar brenda, por edhe në raport me politikën e jashtme”, pohon Rashiti.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Emini. Sipas saj, LVV-ja, tash e katër vjet, ka përjashtuar bashkëpunimin me partitë tjera, “duke synuar të nxisë polarizimin dhe izolimin, në vend që të ndërtojë kompromis”.

Ky polarizim, sipas Eminit, synonte ndarjen në dy blloqe – LVV-ja në njërën anë, dhe partitë tjera në tjetrën.

“Ai [Kurti] kundër të gjithëve, ku vetëm ai ka të drejtë, dhe të tjerët e kanë gabim, si alternativa të dëmshme për Kosovën. Krijimi i dy taborëve e bën më të lehtë rreshtimin, dhe synonte të qeveriste i vetëm dhe me duar të lira”, thotë Emini.

Jo rrallë, Kurti, duke iu referuar dy partive tjera të mëdha, LDK-së dhe PDK-së, ka përdorur gjuhë nënçmuese, duke i emëruar si “lydykyhi e pydykyhi”. Në disa raste, ai e ka quajtur opozitën si “hibride”.

Emini thotë se Kurti, me fjalor të tillë, ofendoi jo vetëm partitë opozitare, por edhe elektoratin e tyre.

“Në natën e zgjedhjeve [9 shkurt], ende pa qartësi për rezultatin final, Kurti i quajti opozitën ‘hajvanë” dhe “hajvanati”, duke nxitur polarizim dhe duke penguar çdo bashkëpunim të mundshëm me Vetëvendosjen”, thekson Emini.

Ajo shton se partitë ish-opozitare u gjetën përballë dy zgjedhjeve: të bashkoheshin me Kurtin për bashkëqeverisje, që do t’u shkaktonte humbje të dinjitetit dhe elektoratit, ose të barrikadoheshin kundër bashkëpunimit, dhe për këtë të fajësoheshin nga Kurti.

Sipas Eminit, Kurti e kupton se kjo strategji nuk është optimale politikisht, por ajo duket e qëllimshme, si përllogaritje për mbajtje afër të elektoratit për zgjedhjet e ardhshme.

Kurti, pas dështimit për t’i marrë votat për një mandat të ri qeverisës, tha se i kishte bërë dy herë ofertë LDK-së për të qeverisur bashkë, në mënyrë që ajo “të shkëputej nga PDK-ja”. Ofertë i kishte bërë, po ashtu, edhe Nismës Socialdemokrate.

“LDK-ja refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë. Kurse Nisma, përfundimisht, nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë”, tha Kurti, duke paralajmëruar dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, në dimër dhe në pranverë.

Zyrtarë të PDK-së dhe të LDK-së theksuan se Kurti nuk po kërkonte partner koalicioni, por nënshtrimin e tyre.

Narrativi polarizues ndaj partive ish-opozitare nuk është shkaku i vetëm pse ato nuk duan bashkëqeverisje me LVV-në.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mundë të gjejë një partner për të qeverisur në të ardhmen, me një narrativ që e mban Kosovën nën masa të Bashkimit Evropian dhe me një narrativ i cili sulmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo faktorët tjerë ndërkombëtarë”, vlerëson Rashiti.

Raportet e ndërlikuara me SHBA-në nisën qysh në kohën e administratës së parë të presidentit Donald Trump, kur qeveria “Kurti 1” u rrëzua me mocion mosbesimi nga partnerja në bashkëqeverisje, LDK-ja.

Kurti pretendoi se në rrëzimin e qeverisë së tij pati ndikim asokohe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Qeveria ime nuk u përmbys për asgjë tjetër, por thjesht sepse Ambasadori Grenell ishte me nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë”, pati deklaruar Kurti.

Përgjatë administratës së presidentit Joe Biden, zyrtarët amerikanë kritikuan Kurtin për veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe.

Vendosja e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në katër komuna veriore dhe mbyllja e disa institucioneve serbe që Kosova i konsideron ilegale u quajtën veprime “të pakoordinuara” me partnerët perëndimorë, dhe ndër shkaktarët e tensioneve në veri të vendit, të cilat, në disa raste, gjatë vitit 2023, rezultuan me përplasje të grupeve serbe me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) – KFOR, por edhe me Policinë e Kosovës.

Kritika të ngjashme, Kurtit i erdhën edhe nga BE-ja, e cila, që nga qershori i vitit 2023, ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Së voni, në shtatorin e 2025-tës, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të, siç u tha, veprimeve të Qeverisë në detyrë, duke përmendur rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë.

Partitë ish-opozitare kanë mbështetur sigurimin e sundimit të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, por kanë kritikuar Kurtin se veprimet në këtë drejtim ishin të pakoordinuara me partnerët e huaj.

Emini konsideron se izolimi i Kurtit, në planin ndërkombëtar, nuk ishte i pritshëm në fillim të qeverisjes së tij, por u thellua me kalimin e kohës.

Sipas saj, situata me masat ndëshkuese të BE-së, si dhe pezullimi i Dialogut me SHBA-në kanë ndikuar në pozitën e Kurtit, jo vetëm ndaj partive politike në Kuvend, por potencialisht edhe ndaj elektoratit.

“Ky ndikim është veçanërisht i dukshëm te votuesit e pavendosur, dhe te ata që nuk janë tradicionalisht të lidhur me ndonjë parti politike, por që vendosin sipas nevojave dhe narrativëve në terren. Si pasojë, masa kritike që e mbështeste Kurtin më parë është dobësuar, duke ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit”, thekson Emini.

Ajo shton se partitë ish-opozitare vazhdojnë të ndjekin partneritet strategjik me SHBA-në, me BE-në ose me partnerë të tjerë bilateralë, dhe se ato “tentojnë të tregohen të kujdesshme në raport me Kurtin në këtë aspekt”.

Megjithatë, Rashiti dhe Emini vlerësojnë se izolimi i Kurtit nga jashtë nuk i atribuohet vetëm veprimeve të tij. Sipas tyre, në këtë situatë përfshihet edhe qasja jo e qëndrueshme e BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës.

Këto i kanë shërbyer LVV-së në narrativin e vet elektoral, si argumente për mosnënshtrim ndaj kërkesave ndërkombëtare, si dhe i kanë ndihmuar që të sigurojë një mbështetje elektorale.

Por, LVV-ja e Kurtit, pësoi rënie të elektoratit prej 8 për qind brenda katër vjetësh.

Pavarësisht rënies së numrit të votuesve të LVV-së ndërmjet dy cikleve zgjedhore, një rezultat i zgjedhjeve të parakohshme eventuale në Kosovë është vështirë i parashikueshëm.

Rezultati i zgjedhjeve eventuale do të përcaktojë edhe fatin e presidentit të ardhshëm të vendit, i cili duhet të vendoset me shumicë parlamentare prej 80 votash në dy runde, ndërkaq në rundin e tretë kërkohet vetëm shumica e thjeshtë prej 61 votash.

Në prill të vitit 2026, Vjosa Osmanit i përfundon mandati si presidente e Kosovës.

Rashiti vlerëson se LVV-ja ka gjasa që sërish të mbetet subjekti i parë politik. Por, zgjedhja e presidentit të vendit kërkon konsensus politik, dhe, rrjedhimisht, edhe koalicione të mundshme.

Në këtë kontekst, ai thotë se LVV-ja, por edhe partitë tjera, gjatë fushatës së ardhshme elektorale duhet të kenë narrativ më të moderuar në raport me konkurrentët, por edhe lidhur me politikat vendëse dhe ndërkombëtare.

Nisur nga praktikat e deritashme, mbetet i pasigurt ndryshimi i narrativit nga Kurti dhe partia e tij.

“Nuk e di a do të ndryshojë në vazhdim. Por, në të kaluarën, kemi pasur subjekte politike që, në fillim, mandatin e kanë marrë me hov, dhe pastaj gradualisht janë pjekur në kuadër të funksionimit të sistemit”, thotë Rashiti.

Ai shton se kompromisi politik mbetet i domosdoshëm për shmangien e situatave, ku një lider dhe një parti mbeten të vetmuar në përpjekjen për formimin e qeverisë.

Emini nuk mendon se LVV-ja e ka nënvlerësuar rëndësinë e kompromisit politik në sistemin parlamentar të Kosovës.

Madje, ajo beson se kjo parti ka një përvojë dhe njohuri të thella për sistemin politik në Kosovë, duke qenë forca më aktive e opozitës për vite me radhë, duke shqyrtuar me kujdes çdo ligj dhe proces politik.

“Ata e kuptojnë se sistemi i Kosovës kërkon kompromis politik për të funksionuar. Megjithatë, Vetëvendosje ka vepruar qëllimisht, në një mënyrë që ushqen narrativin ‘ne kundër të tjerëve’.Strategjia e tyre ka qenë të dobësojnë opozitën sa më shumë të jetë e mundur dhe, paralelisht, të diskreditojnë zërat kritikë në shoqërinë civile dhe në media, edhe kur kritikat janë konstruktive”, thekson Emini.

Ajo nuk e sheh këtë si gabim strategjik të LVV-së, por si strategji të qëllimshme, përmes së cilës synon margjinalizimin e elitës së vjetër politike, ose të përfshijë brenda vetes iniciativat më të vogla opozitare që janë të gatshme për bashkëpunim.

Kjo strategji, sipas saj, i siguron LVV-së opozitë simbolike. Qasja e tillë e partisë së Kurtit, shton ajo, është e llogaritur mirë dhe e qëllimshme, për të konsoliduar pushtetin dhe për të kufizuar kompromisin politik real.

Presidentja Osmani ka paralajmëruar se do t’i takojë liderët e forcave politike, për të parë mundësinë eventuale për formimin e një qeverie të re kosovare.

Gjasat reale janë jashtë horizontit, dhe partitë politike tashmë po përgatiten të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme të reja./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit