(Konferencë në Breshia të Italisë me Federatën e Shoqatave Shqiptare të Italisë)
Historia njerëzore është përvojë njerëzore, eksperiencë, mësim nga e kaluara. Në përshkrimet e historisë kanë ekzistuar gjithnjë dy lloje historianësh : kronistët e vërtetë, dëshmitarë të historisë dhe ngjarjeve, luftrave, armëpushimeve, zhvendosjes së popujve dhe shuarjes së qytetërimeve të tyre (Pausanias apo Herodoti ishin ata që udhëtonin dhe shkruanin atë çka u shikonte syri) dhe haxhiografët, ata që jetonin në oborret e perandorëve, tiranëve e diktatorëve, me detyrën për të shkruar atë çka u pëlqente atyre (çka e shohim edhe sot me Putinin që kërkon ta shuajë historinë dhe gjuhën e Ukrahinës). Pra ndodh që dhe kur historitë, ngjarjet janë shkruar nga kronistë të vërtetë, dëshmitarë okularë të një jete e qytetërimi, kjo lloj historie kthehet në një lloj makthi për një politikë zyrtare, e cila kërkon ta shuajë dhe fshehë një të vërtetë historike, një ngjarje të hidhur që ka ndodhur me qeveritë paraardhëse. Dhe në këtë rast, shëmbulli i Greqisë « demokratike » është mëse i dukshëm në sferën historike të vendeve të Bashkimit Europian.
Shumë studime janë shkruar rreth kësaj teme, shumë kërkesa i janë bërë qeverive të njëpasnjëshme greke që pas ndryshimeve politike në Shqipërinë e fillimit të viteve ’90, që Greqia të kërkojë falje për krimet e kryera në emër të një ideologjie dhe urrejtje nacionale dhe masakrën historike ndaj shqiptarëve të Çamërisë e cila pas Konferencës së Londrës mbeti në kufijtë e Greqisë. Por në të kundërtën, Greqia vazhdon të këmbëngulë në negacionizmin e saj, thua se “kjo histori s’ka ndodhur ndonjëherë dhe se s’duhet të flitet më për të ». Negacionizmi lindi si nocion kur filloi të flitej për holokaustin e hebrejve. Negacionizëm do të thotë të mohosh një realitet historik, do të thotë një interpretim i deformuar i historisë, siç e kemi parë gjithashtu dhe me Ligjin e Luftës që ende nuk është abroguar. Ajo që deklaroi koloneli Zerva kur ndërmori masakrën ndaj shqiptarëve çamë se « këtej e tutje s’do të dëgjohet më fjala çam dhe Çamëri », duket se ka mbetur sllogan i përqafuar nga tërë politika greke. Përse ky makth i madh kur flitet për Çamëri dhe çamë, term që më së fundi gjatë këtyre 80 vjetëve Greqia zyrtare e varrosi në të gjitha tekstet e saj të shkollave apo dhe në tekstet e vetë historianëve, të cilët jo rrallë kanë guxuar ta thonë fjalën e tyre por që janë ndëshkuar. Madje Shqipëria, përmes presioneve të ndryshme politike arriti ta zhdukë atë dhe nga kurrikulat e teksteve shkollore shqiptare që në vitin 2018.
Ky është absurdi më i madh fatkeqësisht i pranuar nga politika shqiptare që për interesa të caktuara dhe jo rrallë personale, ti shtrojë « qilimin e kuq » historisë politike greke. Historia nuk mund të diktohet nga qeverisësit dhe dëshirat e tyre. Historiografija moderne duhet të ketë koncepte moderne dhe të gjykojë mbi koncepte novatore, siç janë ato të historianit të madh evropian Fernand Braudel lidhur së pari mbi identitetin kombëtar por dhe mbi impaktin e gjeografisë mbi historinë, që është një nga konceptet revolucionare të tij, të impaktit të ekonomisë dhe lëvizjeve sociale apo të asaj që ai e quante « civilisation materielle », pra « qytetërim material ». Para më shumë se dy dekadash, kur parlamenti francez tentoi të vendoste diçka për tekstet shkollore lidhur me përkufizimin e historisë së kolonializimit francez, historianët nuk e pranuan diktatin e politikës. Madje edhe vete ish kryeministri francez De Villepin pohoi se « historinë nuk mund ta bëjnë legjislatorët ». Dhe këtu ishte fjala vetëm për « rolin pozitiv » që kërkohej ti jepej kolonializimit dhe jo siç ndodh në botën shqiptare për diktatin që i bëhet botës shkencore për ta rishkruar me urdhër historinë.
Zhdukja e fjalës Çamëri
Si mund ti fshish nga tekstet historike fjalët “çam” dhe “Çamëri” kur ato kanë ekzistuar prej shekujsh në tekstet dhe hartat e vjetra? Një nga helenistët më të mëdhenj të para Revolucionit Grek për Pavarësi ishte konsulli francez François de Pouqueville që Napoleon Bonaparte e dërgoi si konsull të tij pranë Ali Pashës në Janinë. Meqë Greqia zyrtare sot kërkon të zhdukë përfundimisht emrin Çamëri dhe çam nga librat e historisë (çfarë ka bërë prej kohësh në botimet e saj në gjuhën greke) le të kujtojmë këtu shkrimet dhe atë çfarë pohonte në vitet 1810-1820 mbojtësi më i madh i Greqisë së shtypur në librat e tij si “Udhëtim në Moré, në Konstantinopojë dhe Shqipëri” (Voyage en Morée, à Constantinople et en Albanie), “Udhëtim nëpër Greqi” (Voyage de la Grèce) dhe “Rilindja e Greqisë” (La Régéneration de la Grèce), tre libra themelorë për të kuptuar se ç’ishte Greqia e asaj kohe. Në të tri librat, kur udhëton apo bie fjala për çamët dhe Çamërinë, ai nuk shkruan thjeshtë për banorë të Epirit, por shkruan për çamët dhe Çamërinë, siç e shkruanin dhe disa historianë disa shekuj para tij. Ja çfarë shkruan ai në librin “Voyage de la Grèce » në faqet 217-220 : « Në brigjet e detit jonian, mes vendeve të mrekullueshme të Thesprotisë, në vendet e gjelbëruara që përmbledhin Thyamis dhe Achéron, jetojnë çamët, që i kanë shpëtuar shpatës së satrapit të Janinës… Çamët thesprote kanë sy të mëdhenj dhe të zinj, flokë të gjatë e gështenjë, kanë një lëkurë delikate, disi brune ku shfaqet qafa e tyre e bukur, sensuale e me këmbë të holla…” Në vëllimin e dytë të këtij libri prej 6 volumesh, në f. 53 ai vazhdon: “Fshatarët e fshatrave që ngrihen nga ana e djathtë e lumit Thyamis, të cilët i numurova që nga Sarashovica, janë shqiptarë kristianë që flasin gjuhën çame (chamides). Mes tyre gjen një vitalitet të lindur, një gjak të pastër, burra bjondë apo brunë dhe krenarë që nuk e durojnë dot zgjedhën…” Madje në këto faqe ai sjell dhe një këngë të bukur, “këngën e zambakut”, një këngë lirike të cilën e ka regjistruar dhe sjellë në frëngjisht me një poetikë të jashtëzakonshme. Në kapitullin e VI, nën titullin “Cestrine dhe Chamourie”, ai shkruan: “ Cestrine është ajo pjesë e Thesprotisë që përfshin zonën mes Thyamis dhe Acheron dhe që grekët e quajnë Çamëri, ndërsa turqit Çam-Sanxhak, me kryeqendër Paramithinë”. Më tej, në faqen 132 ai shton se “Çam-Sanxhak ose pashallëku i Çamërisë përfshin dhe zonat e Ajdonatit dhe Margaritit gjer në brigjet e detit jonian. Ky territor është i shënuar në arkivat perandorake të Konstantinopojës nën titullin “Vilajeti i Ajdonatit”.
Për Çamërinë dhe fisnikët e Çamërisë kanë shkruar shumë autorë, studjues, historian e gjeografë, arkeologë dhe etnografë të shekujve XVIII-XIX-të, dhe meqë s’mund ti përmendim të gjithë, jo vetëm francezë por dhe anglezë (duke filluar me Martin Leak), gjermanë, italianë, etj, le ti drejtohemi librit të Henri Belle, përfaqësuesit të Francës në Athinë në vitin 1852, i cili në raportet e tij drejtuar Quai d’Orsay-it dhe më gjerë në librin e tij “Chretiens et Turcs” (Të krishterë dhe turq”) një vend të rëndësishëm i kushton dhe Çamërisë. «Shqiptarët e Çamërisë – shkruan ndër të tjera ai, – janë konvertuar shpesh në fenë muslimane vetëm që të mos paguajnë haraç. Në familjet e tyre gjen fëmijë me emrat Mehmet dhe Abdullah, bij të Konstantinit apo të Dhimitrit…» Dhe më tutje ai shton: «Ajo çka është e famëshme, është se ata janë virtuozë në përdorimin e armëve. Venecianët i ndihmuan në luftën kundër pashallarëve në Shqipëri. Gjatë pushtimit të shtatë ishujve nga francezët, çamët ishin pro Francës. Tregëtia e tyre në atë kohë lulëzonte dhe prijësat çamë mund të vinin të armatosur në Korfuz…”
Belle, i cili i ra kryq e tërthor Greqisë, në librin e tij “Të krishterë dhe turq” me një interes të veçantë përshkruan vendbanimet arvanitase dhe figurat e tyre historike gjatë Revolucionit Grek e më pas si dhe mbi çamët e famshëm Çaparët, Pronjot, Dematët e Sejkatët etj, pa harruar Tafil Buzin. Si një vëzhgues i hollë dhe erudit, ai përshkruan vlerat e shoqërisë çame dhe karakteristikat e trashëgimisë çame në histori e kulturë, në zakone dhe pasurinë folklorike. “Gratë muslimane të Janinës janë shumë të bukura dhe shamia e hollë mbi kokë i bën ato akoma më shumë tërheqëse duke shtuar misterin rreth tyre. Brenda shtëpisë, zonjat greke veshin kostumin elegant çam apo të Shqipërisë së jugut që qepin aq bukur rrobaqepësit e Janinës. Fustani prej mëndafshi është i shtrënguar rreth trupit me një copë kashmiri punuar me shumë finesë. Shalli zëvendëson korsenë pa e shtrënguar fort trupin dhe ku gjinjtë nuk i humbin hiret e tyre dhe voluptetin, çka të nxit imagjinatën….” Duke shkruar për kontributin e madh të arvanitasve në Revolucionin Grek ai shton se “Tombazët, Çamidët (familje e Çamërisë) dhe veçanërisht Miaulët e Hidrës, panë që emri i tyre u duartrokit shumë herë nga e gjithë Europa…” Këtë aleancë të arvanitasve dhe çamëve me liderët e Greqisë së kohës së Revolucionit e gjen në shumë tekste historike. Në librin e tij, Belle nuk harron të përshkruajë dhe udhëtimin e tij drejt Sulit dhe Çamërisë, i shoqëruar nga sulioti Niko Zerva, i cili i zemëruar me qeverinë e Athinës, ishte bashkuar me pashain e Janinës i cili e kishte lënë si kapedan që të mbronte interesat e suliotëve dhe çamëve. Duke ndaluar në Kamarina, Belle shënon: “Sapo u ulëm në taracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë. Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ato flokë të gjata e të shpërndara në mënyrë të çrregullt. Ishin muslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo “skip”, dhe quheshin “skipëtares”. Agallarët u vendosën rreth nesh dhe vëzhgonin me një kureshtje fëminore e të vrazhdë armët e mia, hartat gjeografike që kisha, librat dhe nargjilenë time. Vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Çamëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre…” Dhe më pas, duke vazhduar udhëtimin e tij ai shton: “Le ta lemë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i të cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur…”
Edhe konsulli britanik, skocezi James Henry Skeene, deklaronte para Shoqatës ethnologjike të Londrës në qershor të vitit 1848 : « Çamët janë një popullsi e paqtë dhe që merren me zejtari, tregëti dhe bujqësi. Vishen me kostume të shkëlqyera dhe veshjet e tyre janë me dantella ari dhe plot qëndisma ; mbajnë armë si bashkëpatriotët e tyre që janë më luftarakë edhe pse nuk i përdorin shumë. Banojnë një zonë që laget nga lumi Thyamis, që është përballë ishullit të Korfuzit. Vendin e tyre e quajnë Çamëria dhe veten çamë, që padyshim vijnë nga emri i lumit Thyamis. »
Në librat e shekujve XVII-XIX të autorëve perëndimorë që i referohen historisë greke dhe ngjarjeve të mëdha, shkrimet për çamët janë të shpeshta. Gjenerali Grivas në Nafplio hidhte vallen çame, shkruan një tjetër autor. Të tjerë shkruajnë për kontributin e madh të admiralit dhe familjes Chamides në Hidra, etj, etj. Mjafton të hapësh librat e vjetër për të gjetur aty të vërtetën! A nuk ishte linguisti Ksylander që na solli nga Greqia gjuhën e vërtetë çame siç flitej në përrallat dhe këngët e vjetra çame të shekujve XVII -XIX? Dhe Charles Claude Fauriel, ky linguist dhe folklorist i madh që para Pukëvilit, shkruante për Tchamourie në librin e tij voluminoz “Këngë popullore në Greqinë e sotme”… E po kështu piktori francez Louis Dupré që në librin e tij “Voyage à Athènes et à Constantinople” shkruante se në “Regjimentin e shqiptarëve” që takoi dhe pikturoi disa prej tyre, “ndër 3000 luftëtarët e regjimentit shumica ishin suliotë dhe çamë”? Ja pra çamët dhe historia e vërtetë e luftës së tyre.
Tentativat për revizionimin e historisë na bëjnë ti kthejmë sytë prapa dhe ti drejtohemi urtësisë antike, pasi historia moderne gjithnjë u referohet historianëve të mëdhenj të antikitetit si Herodoti, Ksenofoni, Tuqididhi, Tit-Livi, Lucieni, etj. Ishin pikërisht ata që hodhën bazat e historiografisë, baza që dhe sot mbeten aktuale, pasi në to është një përvojë mijëravjeçare, ku pleksen drama de tragjedi të perandorive të mëdha, luftra dhe shuarje kombesh, shtetesh, ndryshime kufish dhe krijime shtetesh të tjerë, pra ndryshime gjeopolitike të mëdha. Pikërisht ata na mësojnë se ç’janë haxhiografët. Shkrimet e tij për historinë dhe historiografinë mbartin vlera të mëdha për historiografinë moderne, pasi në to është shprehur thelbi i vërtetë i shkencës së historiografisë : e vërteta, fakti, ngjarja dhe pavarësia e atij që e shkruan historinë. «Historiani, – shkruani Lucieni, – duhet të jetë i lirë në opinionet e tij. Ai s’duhet të ketë frikë askënd.» Mësimi i Lucien-it ka të bëjë jo vetëm me objektivitetin historik dhe të vërtetën por dhe me çlirimin nga etno-nacionalizmi, pra shikimi i historisë në frymën nacionale, shoviniste dhe të krenarisë kombëtare që nganjëherë arrin tek disa historianë gjer në megalomani. Vështrimi nacionalist ka qënë tipar jo vetëm i historiografisë ballkanike veçanërisht. «Lufta» mes historianëve ballkanas, shqiptarë apo serbë, serbo e kroatë, maqedonas, bullgarë apo grekë, etj, dëshmohet jo vetëm në konferencat e ndryshme por siç po e shohim gjer dhe në tekstet shkollore të historisë, ku për të njëjtën ngjarje, vështrimet dhe përfundimet historike janë të ndryshme, kontradiktore, të kundërta.
Historia e Kosovës është një nga ato, pasi histori të shumta ngërthejnë historinë ballkanase, veçanërisht nga shekullit XII e këndej. Historia e Çamërisë, po ashtu. Po, për Çamërinë si mund të shkruhet kur Greqia zyrtare i bën barrierë çdo lloj diskutimi, duke ua mbyllur arkivat e saj historianëve shqiptarë? Historiografia e ka thënë fjalën e vet dhe ti politikan, i çfarëdo ngjyre qofsh, s’mund ta zhbësh historinë. Historia duhet ti shërbejë gjithnjë të ardhmes sonë të përbashkët.
Lucieni shkruante : « Faktet historike nuk duhen bashkuar në mënyrë të rastësishme por duhet ti nënshtrohen një pune të palodhur dhe një kritike të ashpër. Historiani duhet të dëgjojë vetëm ata që janë besnikë ndaj faktit ». Kjo frazë lakonike përbën një koncept të tërë, pasi ajo përmbledh një nga karakteristikat kryesore të historiografisë shkencore : atë të referimit me besnikëri të faktit dhe atë të analizës. Historia nuk mund të shkruhet apo rishkruhet pa u mbështetur në faktet konkrete. Lucieni shkruante gjithashtu se « Kur të gjitha faktet mblidhen, pikërisht atëherë historiani fillon tregimin e tij ».
Toponimia – prehë e nacionalizmit
Gjatë 80 viteve, qeveria greke ka venë në zbatim një plan nacionalist dhe konseguent për të shuar çdo kujtesë rreth Çamërisë dhe historisë së saj. Në fillim ishte tkurrja e territoreve të tyre, nisma e dëbimeve në vitet 1922-1923, përndjekja e pastaj shfarosja e tyre përtej kufijve, drejt Shqipërisë, atdheut të tyre. Gjatë 80 vjetëve emrat e fshatrave çame kanë ndryshuar nga emra në shqip në emra grek që u kanë vendosur. P.sh. fshati Skupica quhet sot Kestrini, Spllanxa quhet Amudhia, Spathari quhet Trikofirio, Shgetari- Miloi, Stanova – Mandhotopos, Popova – Ajia Qiriaqi, Nemica – Vuvopotamo, Pleshvica – Planisio, Picari- Aetos, e shumë të tjerë. Nëse sot një çam i moshuar dhe i dëbuar nga Çamëria më 1944-1945 gjatë masakrave të mëdha dhe të donte të shikonte fshatin dhe shtëpinë e tij të fëmijërisë (për çka do i duhej ndonjë pasaportë europiane apo amerikane se ndryshe do të kthehej mbrapsht në kufi si shumë të tjerë gjatë këtyre 30 viteve) ai padyshim do të ç’orientohej thua se do ta kish lënë kujtesa, pasi tabelat sinjalitike të rrugëve që tregojnë fshatrat prej kohësh janë ndryshuar., sepse Manxhari p.sh. do ta kishte emrin Qiparisos, se Liku quhet tashmë Haravanji, Luarati – Kathovothra, Logati-Agora, Kushovica – Marina, etj. E pamundur ta ndihmonin dhe mjetet më të fundit të komunikacionit GPS. Dhe padyshim ai do ta pyeste veten se përse kishte ndodhur gjithë kjo. Por menjëherë do ta kuptonte se gjithë kjo ishte pasojë e një politike nacionaliste dhe që mbështetej gjithnjë në “Megalo-idenë” e Greqisë së madhe, se aty ku ka ortodoksë duhet të jetë Greqi, edhe pse tashmë Greqia është një republikë parlamentare, demokratike dhe e të Drejtave të Njeriut, edhe pse këto të drejta nuk u njihen shqiptarëve. Po të rikrijosh sot hartën toponomastike të Çamërisë veçse disa emra të kujtojnë Çamërinë me këto toponime të vjetra që kanëm betur: Filates (Filati), Paramithia, Margariti (Margëlliçi) apo Igumenica.
Siç dihet, toponimia është pjesë e gjeografisë. Për më tepër kjo fjalë vjen nga greqishtja e vjetër “topos-vend” dhe “onoma-emër”. Emërtimi i vendeve është një proçes historik që lidhet me ngulimet e popullatave dhe që kanë të bëjnë me jetën shekullore të tyre. Toponimet kanë ndryshuar veçse në kohë luftrash të mëdha dhe kolonizimesh. Ndryshimi me forcë i toponimeve është tregues i luftrave pushtuese. Të ndryshosh toponimet do të thotë të emërosh dhe ç’emërosh botën sipas politikës dhe synimeve hegjemoniste e nacionaliste. Kështu ka ndodhur në kohën e instalimit të perandorive të vjetra, kështu ndodhi në kohë e perandorisë Otomane, kështu ndodhi në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX në Bashkimin Sovjetik i cili i zhvendoste lehtësisht popullatat. Por kjo nuk ndodhi në Europën e qytetëruar dhe republikane e demokratike, kjo nuk ndodhi në Francën e Gjermaninë e dalë nga një luftë e gjatë dhe e tmerrëshme. Toponimet gjermanike në Francën lindore mbetën të tilla. Një vend demokratik nuk mund të legjitimojë një përkatësi territoriale duke ndryshuar toponimitë, duke i përdorur ato si prova historike. Savoja e Italisë mbeti Savoie e Francës, pasi tek francezët nuk ishte kompleksi i historisë të kësaj krahine. Nëpër shekuj Franca nuk është ajo që ishte dikur apo Gjermania nuk është ajo e dikurshme. Kufijtë kanë lëvizur dhe për këtë mjafton të shikoni hartën e Europës dhe ta krahasoni me atë të pesë shekujve më parë. Por tek Franca dhe Gjermania nuk ka qenë revanshi i shuarjes së historisë, të kujtesës, të trashëgimisë kulturore apo i zhdukjes së toponimive. Shqipëria nuk e bëri këtë me fshatrat e minoritetit grek në Shqipëri, i cili kishte shkollat dhe gjuhën greke, toponimet greke, ndryshe nga ajo që ndodhi në Çamëri. Edhe gjatë diktaturës totalitare emrat e fshatrave greke në territorin shqiptar nuk u ndryshuan. A është e mundur të ndryshohen ato si kundërpërgjigje nga politikës zyrtare greke? Sigurisht, por kjo do të ishte antidemokratike dhe antieuropiane, që konventat europiane e ndalojnë.
Dihet që në Shqipëri, kur disa fshatra maqedone morën emra të tjerë, kjo shkaktoi një pakënaqësi dhe ky proçes nacionalist ndaloi menjëherë. Emrat sllave të shumë fshatrave në Shqipëri vazhdojnë të ekzistojnë siç janë Bozhigrad etj, çka për shqiptarin nuk përbën asnjë problem. Në Kosovë, shumë toponime fshatrash dhe qytetesh mbahen me dy emërtime, duke ruajtur kështu dhe trashëgiminë e një bashkëjetese të vjetër. Le të kujtojmë këtu luftën e madhe mediatike e politike që bëri Greqia me emrin e Republikës së Maqedonisë, duke ngulmuar se Maqedonia ishte pjesë e Greqisë. Hija e Aleksandrit të madh u shfaq në ekranet e televizioneve dhe diskursin politik. Greqia republikane dhe evropiane bëri çmos ta pengonte integrimin e Republikës së Maqedonisë në Nato dhe Evropën e Bashkuar. Dhe kjo vazhdoi gjatë, madje u bë e mëriztshme dhe arkaike në peizazhin politik europian. Më së fundi do të quhej Republika e Maqedonisë së Veriut. Të fshish nga hartat e sotme emërtimet e djeshme sipas një plani të përcaktuar ideologjik nuk mund të quhet ndryshe veçse “epuration”, spastrim, i cili ndiqet më pas nga proçesi tjetër “restauration”, restaurim i një historie të re, krijimi i një reference të re gjeopolitike, i një kujtese të re, i një ideologjie të re që në fakt në rastin e Greqisë është vazhdë e “Megalo-idesë” që sot nuk thuhet hapur por që ndiqet nën presionin e ortodoksisë greke.
Ç’nevojë kishte Greqia për ndryshimet e toponimive të Çamërisë, ç’nevojë kishte që fshatrat si Lluri të quhej Filipiadha, Nista- Faksomilia, Curila-Kalithea, Salica – Llaka; që Lopsi të quhej Aproklisi, që Vola të quhej Sivota, Shencia-Lefteri, Voshtina Paliokastri, Galbaqi-Elea, Draganji-Ambelia, Kuç-Polineri e dhjetra e dhjetra të tjerë. Sigurisht do tu merzisja po të vazhdoja me listën e gjatë të toponimeve të vjetra që lidhen me historinë e jetës së një popullsie shqiptare të mbetur mjerisht nga Fuqitë e Mëdha pas Luftrave Ballkanike të fillimit të shekullit XX, çka sot është skandaloze për një studiues, një etnolog, antropolog dhe politikan. Çamët, përveç atyre që u dëbuan me një dhunë të tmerrshme ku u vranë rreth 3000 çamë dhe shumë të tjerë vdiqën udhëve të mërgimit, ata që mbetën, të fesë krishtere pësuan asimilimin e detyrueshëm: zhdukjen e shkollave shqip, eliminimin e përdorimit të gjuhës dhe referimin ndaj kulturës e trashëgimisë shqiptare. Duhet të dijmë se ndryshimet toponamistike nuk u bënë thjesht nga komunat apo fshatarët e krishterë që mbetën, ato si kudo u iniciuan nga Komisioni Kombëtar i toponimeve që ka çdo shtet, nga vetë qeveria, sipas një plani metodik që u vu në jetë për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare. Lumturisht që kjo gjë nuk ndodh në komunietin grek në Shqipëri si në Dropull, Derviçan, Pogon, Luginën e Drinos, etj. Para disa javësh udhëtoja përmes qytezës së XXXX dhe nuk më shqetësoi aspak që nuk pashë tabela në gjuhën shqipe por vetëm në greqisht. Lumturisht kjo shuarje identare e një komuniteti fqinj gjatë historisë, s’ka për të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Nuk mund të jesh republikan, evropian dhe mbrojtës i të Drejtave, kur këto të drejta i shkel me këmbë brenda territorit tënd. Greqia nuk kishte pse të ndryshonte toponimet shqiptare dhe le të përmend ende dhe disa të tjera: sot Vojniku quhet Prodhromi, Zelesoi quhet Ksirolopos, Velani-Hrisavji, Vllahori-Polidhroso, Llabanica-Ellataria, Hani i Xhumbës-Dhafni, Gardhiqi – Aj Jorjios, Gorica- Stavrohori, Besherea-Ajdhoni, Branja-Aj Morina, Bulmeti-Lelovë, Birbili-Ajdhoni etj, etj. Është e qartë se gjithë kjo është një tragji-komedi që u shkrua në Athinë, në këmbët e Akropolit… Mund të them thjesht se kjo quhet nacionalizëm, negacionizëm, një atavizëm që historikisht ka qenë shkak konfliktesh në Evropë, ndërkohë që sot jetojmë një Evropë të Bashkuar.








