Një investigim gazetaresk i vlerësuar me çmim nga Bashkimi Europian ka zbuluar një aferë skandaloze në Gjirin e Manastirit, pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, ku një projekt i cilësuar si “investim strategjik” ka rezultuar në shkatërrim të trashëgimisë arkeologjike dhe një përpjekje të hapur të institucioneve shtetërore për të fshehur provat.
Gazetari Geri Emiri, një nga autorët e investigimit, shpjegoi për ‘Kafe Shqeto’ me Flavio Qarrin në SYRI TV se si një premtim për një “pikël të vogël” u transformua në një fshat turistik masiv, duke shkelur ligjet shqiptare, rregullat e UNESCO-s dhe duke privatizuar aksesin në një prej gjireve më të bukura të bregdetit Jon.
Sipas gazetarit, projekti ka kaluar çdo limit, duke u kthyer në një “projekt të qartë zaptimi”. Aksesi në plazh tashmë është i rezervuar vetëm për pronarët e vilave dhe apartamenteve në resort, duke e privatizuar tërësisht një pasuri publike.
Sipas gazetarit, më e rënda është se i gjithë resorti, sipas një raporti të ICOMOS-UNESCO-s, është ndërtuar brenda zonës buferike të mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit. Për të mundësuar këtë, qeveria shqiptare ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura pa marrë miratimin e nevojshëm nga UNESCO, duke tkurrur perimetrin e mbrojtjes në zonat bregdetare. Kulmi i skandalit qëndron në përpjekjet e institucioneve për të penguar transparencën.
Për më shumë se nëntë muaj, gazetarët u përballën me një “barrierë antiligjore” nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili refuzoi të jepte dokumente publike. Pas presionit ligjor, institucionet ndryshuan versionin e tyre, duke pretenduar se disa dokumente, si procesverbalet e mbledhjeve, nuk ishin mbajtur kurrë, ndërsa të tjera, përfshirë raporte teknike kyçe, ishin zhdukur si pasojë e një sulmi kibernetik iranian – një justifikim që ngre dyshime të forta për një tentativë të qëllimshme për të fshehur provat.
Emiri shprehet se zbulimi më tronditës i investigimit është shkatërrimi i një zbulimi arkeologjik të dokumentuar. Kompania ndërtuese, Albstar, gjatë punimeve ka shkatërruar rrënojat e një kulle fortifikuese të periudhës antike (shek. III-IV para erës sonë), e cila ishte zbuluar dhe dokumentuar zyrtarisht që në vitin 2010.
Gazetari Emiri theksoi se gjatë gjithë procesit të ndërtimit ka munguar tërësisht monitorimi arkeologjik, duke lënë të hapur mundësinë që edhe zbulime të tjera të jenë shkatërruar pa u ditur kurrë. Pavarësisht provave të qarta për abuzim me detyrën, falsifikim dokumentesh dhe shkatërrim të identitetit kombëtar, ende nuk ka një hetim zyrtar për këtë aferë që, siç u shpreh moderatori, e ka shndërruar “pikën e vogël” në një “gropë të madhe korruptive”.
Emiri:
E vërtetë. Në fakt ajo që nisi si një projekt që synonte pra, si një nga investimet strategjike të dhëna nga qeveria shqiptare dhe që synonte të krijonte një pikë të re për turizmin elitar shqiptar, është kthyer në një projekt i qartë i zaptimit në një gji i cili ishte shumë i lakmuar dhe një nga bukuritë e natyrës dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Është privatizuar tashmë tërësisht sepse duhet të jesh patjetër pronari i një vile apo një apartamenti që të kesh akses të lirë në këtë plazh.
Nga ana tjetër, ky projekt i cili nisi si një resort, ka kaluar në përmasat e një fshati të mirëfilltë turistik. Sepse ne shikojmë që dita ditës volumi i ndërtimit sa vjen dhe shtohet në mbështetje dhe normalisht vendimeve të qeverisë shqiptare dhe nuk duket që të ketë një kufi të qartë dhe të mirë përcaktuar për këtë ndërtim që ka transformuar njëherë e përgjithmonë këtë gji të rëndësishëm i cili ndan pikërisht rripin e tokës midis liqenit të Butrintit që është dhe park kombëtar dhe detit Jon.
Së bashku me kolegen Eriolën ne përgjatë një periudhe prej disa muajsh, pra mbi nëntë muaj, kemi shkëmbyer korrespondenca me institucionet shtetërore, ku kemi kërkuar zyrtarisht marrjen e dokumenteve publike dhe ka qenë kryesisht institucionet e kulturës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, të cilët krijuan një barrierë antiligjore duke shkelur ligjin për të drejtën e informimit, duke mbajtur qëndrime kontroverse, të cilat synonin që të mos jepnin dokumente publike, projektet e hartuara, proces verbalet e mbledhjesh dhe në fund fare pas një kalvari të gjatë korrespondencash, ankesash me komisionerin për të drejtën e informimit, institucionet publike ndryshuan version duke zhdukur kështu të gjitha ato dokumente që duhet të ishin publike, me pretekstin që disa prej tyre nuk ishin mbajtur kurrë, si proces verbalet e mbledhjesh, teksa për nëntë muaj thonin që nuk i japim sepse ka të dhëna personale, ë të drejtën e autorit e pretekste të tjera.
Ishte një sallatë të drejtash që u bë bashkë dhe u gatua me qëllim që të mos jepeshin dokumentet publike. Dhe faktikisht institucionet shtetërore arritën që jo vetëm t’i fshihnin por dhe t’i, zyrtarisht t’i zhduknin këto dokumente për të mos rënë në dorën e gazetarëve.
Sepse ata ndryshuan qëndrim. Pra, ato dokumente që u kërkuan për muaj me radhë, në fund fare thanë që ne këto dokumente nuk i kemi pasur kurrë proces verbalet, apo raportet për shembull teknike, janë marrë si pasojë e sulmit kibernetik. Por këto duhet të kishin thënë që në momentin e parë. Pra nuk mundesh.
Ekzaktësisht në fakt. Pra Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i cili krijoi këto barrierë kryesisht, pasi nuk i dha dokumentet, qartësisht thonte ne i kemi dokumentet për nëntë muaj, por për shembull raportin e monitorimit paraprak arkeologjik dhe vlerësimit ne nuk e japim sepse është e drejta e autorit. Ndërsa proces verbalet e mbledhjeve shkencore ku janë zyrtarë publikë, përfaqësues të institucioneve, ministra e kështu me radhë, nuk i japim sepse ka të dhëna personale.
Dhe në fund fare, pasi një beteje kur dhe komisioneri për të drejtën e informimit i dha të drejtë Medias Anfora dhe urdhëroi institucionin t’i japë dokumentet, ata ndryshuan qëndrim dhe thanë, proces verbalet nuk, ne nuk i kemi mbajtur kurrë. Po ti o i ke që në fillim, o nuk i ke fare, nuk mundesh që një moment thuash unë nuk i kam kur për nëntë muaj nuk i ke dhënë. Ndërsa raportin që ishte shumë i rëndësishëm për të parë në fakt mënyrën se si ato e kishin paraqitur gjendjen e trashëgimisë kulturore përpara nisjes së projektit, sipas tyre u mor gjatë një sulmi kibernetik.
Por sulmi kibernetik patjetër kishte ndodhur kohë më parë dhe këto janë dosje që dorëzohen dhe fizikisht. Pra në çdo rast institucionet e shtetit shqiptar i kanë dhe fizikisht, nëse nuk kanë kopje elektronike. Dhe ne u detyruam t’i gjenim përmes burimeve të tjera duke i kryqëzuar dhe në fund investigimi tregoi se si përfaqësues të institucioneve, fatkeqësisht, dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore që janë pjesë e instituteve kërkimore, universiteteve e kështu me radhë që punojnë si subjekte të licensuara në arkeologji, qartësisht nuk kishin paraqitur situatën reale dhe artikulli i shkruar bashkë me kolegen Eriolën zbuloi se si kompania shkatërroi një zbulim arkeologjik të vitit 2010 që ishte në perimetrin e ndërtimit, i cili dyshohej fillimisht që ishte një kullë e periudhës së antiketit, pra e shekullit ë tre katër para erës sonë dhe që ka shërbyer në atë zonë për qëllime pikërisht mbrojtje.
Është kompania Albstar e cila ka marrë këtë investim strategjik.
Qarri: Pra, Albstari gjatë punimeve ka gjetur një kullë 6000 vjeçare dhe e ka, çfarë ka ndodhur me kullën?
Emiri: Po, kulla pra ishte ekzistuese aty. Zgjerimi i rrugës në vitin 2010 si pasojë e investimeve të qeverisë shqiptare nxorri në dritë rrënojë arkeologjike që u dokumentuan nga institucionet në atë kohë. Dhe institucionet konstatuan që mendohet se ky zbulim është një, pra një objekt fortifikues, sepse u gjet, u gjet bazamenti, që mund të ka qenë një kullë e shekujve katër-tre të para erës sonë.
Dhe ishte e dokumentuar kjo.








