Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllimet e tij pas vdekjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, në moshën 73-vjeçare.
Në një postim, Haradinaj e përshkruan Nanon si një udhëheqës dhe vizionar, si dhe thekson kontributin e tij kyç për çështjen shqiptare në kohëra të vështira.
“Telegram ngushëllimi! Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano.
Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.
Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar.
Kontribuues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”, shkruan Haradinaj.








