-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Nga 22 miratime tek rrëzimi i McGonigalit/ Çfarë kaloi në mesnatë në Kuvend?

Kryesoret

Në drejtimin e Kryetarit, z. Niko Peleshi, Kuvendi u mblodh sot në seancën plenare të radhës ku u miratuan 11 projektrezoluta, 2 projektligje dhe 9 projektvendime.

Seanca plenare nisi punimet me Raportin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2024, i cili u paraqit nga Kryetarja e KLP, znj. Mirela Bogdani. Gjatë fjalës së saj, znj. Bogdani u shpreh se aktualisht janë 284 prokurorë dhe 57 vakanca të përhershme dhe 39 vakanca të përkohshme. Kryetarja e KLP-së, theksoi se 57 vakancat e përhershme planifikohet që të mbyllen në harkun kohor të dy viteve pasi të emërohen magjistratët prokurorë nga Shkolla e Magjistraturës vitin e ardhshëm.

Projektrezoluta për këtë Raport u paraqit nga deputeti z. Bledi Çomo, i cili theksoi se, KLP ka një bashkëpunim të fortë më Shkollën e Magjistraturës për trajnimin në vazhdimësi të prokurorëve dhe emërimin e tyre pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës.

Pas diskutimeve, kjo projektrezolutë u miratua me 80 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim.

Pika e radhës në rendin e ditës ishte Raporti i veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2024, i cili u paraqit nga znj. Erinda Ballanca. Avokatja e Popullit, gjatë fjalës së saj u shpreh se viti 2024 ka qenë viti i konsolidimit të rolit të Avokatit të Popullit në një moment që Shqipëria ka hyrë në fazë të re të procesit të integrimit europian.

Projektrezoluta për këtë Raport u paraqit nga deputeti z. Erjo Mile, i cili u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë rekomandon Avokatin e Popullit të strukturojë dhe përditësojë faqen zyrtare të institucionit si një instrument transparence dhe llogaridhënie me qëllim rritjen e aksesueshmërisë publike.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Punimet plenare vijuan me Raportin e veprimtarisë se Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2024, i cili u paraqit nga Komisionerja, znj. Pranvera Strakosha. Gjatë fjalës së saj, znj. Strakosha u shpreh se në vitin 2024 numri i informacioneve të ardhura në adresë të komisionerit është në trend rritës krahasuar me një vit më parë, çka tregon për vlerësimin e punës së komisionerit, rritjen e besimit nga ana e qytetarëve dhe institucioneve që i drejtohen për të marrë një përgjigje për problemet që kërkojnë zgjidhje.

Projektrezoluta për këtë Raport u paraqit nga deputetja, znj. Eriona Ismaili, e cila u shpreh se Kuvendi kërkon që komisioneri për vitin 2025 të angazhohet në intensifikimin e inspektimeve në njësitë e vëtëqeverisjes vendore, duke i dhënë përparësi atyre më shkelje të përsëritura të procedurave të shërbimit civil, të zhvillohen mekanizmat për monitorim të vazhdueshëm dhe në kohë reale për nëpunësin civil, me qëllim përmirësimin e transparencës dhe komunikimit publik.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Pika e radhës në rendin e ditës ishte Raporti i veprimtarisë së Institutit të Statistikave për vitin 2024, i cili u paraqit nga Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Elsa Dhuli. Gjatë fjalës së saj, znj. Dhuli u shpreh se një nga sfidat kryesore që shoqërojnë Institutin e Statistikave, gjatë 2024 veçohet hapja e negociatave për kapitullin 18, Statistikat, si kapitulli kryesor në fushën e statistikave dhe kontribuues në kapitujt e tjerë.

Projektrezoluta për këtë Raport u paraqit nga deputeti z. Admir Kadeli, i cili u shpreh se Kuvendi rekomandon që Institui i Statistikave të publikojë analiza që i përgjigjen nevojave politike e publike. Gjithashtu, z. Kadeli, theksoi se Instituti i Statistikave duhet të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, të ndërmarrë fushata informuese, etj.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Raporti i veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2024, u paraqit nga Guvernatori z. Genti Sejko, i cili u shpreh se aktiviteti i BSH ka qenë dhe vijon të mbetet drejt përmbushjes së detyrave ligjore, ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, mbështetjes së stabilitetit financiar, nxitjes së zhvillimit të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave.

Projektrezoluta për këtë Raport u paraqit nga deputeti, z. Erion Braçe, i cili u shpreh se Banka e Shqipërisë ka zhvilluar aktivitetin e saj në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin e saj organik, ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore që burojnë nga këto dy dokumenta.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Raporti i veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2024, u paraqit nga kryetarja e këtij institucioni, znj. Armela Krasniqi. Gjatë fjalës së saj, znj. Krasniqi u shpreh se objektivat e AMA-s janë arritur ndërsa theksoi se po punohet në vazhdimësi për përmirësimin e cilësisë dhe efektivitetit të rolit mbikqyrës dhe rregullator të këtij institucioni.

Projektrezoluta për këtë Raport u paraqit nga deputetja znj. Iris Luarasi, e cila vuri në dukje se Kuvendi i rekomandon AMA-s, që për vitin 2025 të propozojë ndryshime përkatëse në ligj ndër të cilat rregullohet procesi që AMA kryen në lidhje me matjen e volumit të reklamës institucionale, dhe të rrisë rolin e kapaciteteve për monitorim cilësor.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Raporti i veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2024, u paraqit nga Kryetari i KDRTSH, z. Fation Hoxhalli, i cili foli për progresin në implementimin e një reforme të thellë për transformimin e RTSH-së pas një periudhe sfidash institucionale, ndërsa nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm duke mbështetur zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues. Z. Hoxhalli nënvizoi se që nga konstituimi, KDRTSH ka punuar me përkushtim për të garantuar pavarësinë editoriale, integritetin profesional dhe përdorimin me përgjegjësi të burimeve publike.

Projektrezoluta për këtë Raport u paraqit nga deputetja znj. Iris Luarasi, e cila u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë rekomandon që RTSH të angazhohet në hartimin dhe miratimin e një plani strategjik për rimodelimin e transmetuesit publik.

Pas diskutimeve, projektrezoluta u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim.

Në seancë plenare u diskutuan dhe miratuan edhe dy projektligje, konkretisht:

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër, hua e dytë për politikat e zhvillimit”, i cili u prezantua nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj.

Ky projektligj, u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin shtesë të Konventës për kontratën e Transportit Rrugor Ndërkombëtar të Mallrave (CMR) në lidhje me faturën elektronike të ngarkesës, bërë në Gjenevë në datën 20.2.2008”, i cili u prezantua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj.

Ky projektligji u miratua me 80 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Në seancë plenare u miratuan edhe 9 projektvendime, ndërsa dy u rrëzuan me shumicë votash.

Përkatësisht:

Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”, u rrëzua me 81 vota kundër, 0 pro dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, u rrëzua me 81 vota kundër, 0 pro dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, konkretisht;

Z. Besnik Brahimi u caktua anëtar në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, z. Shkurt Lasku u caktua anëtar në Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në perbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, konkretisht;

z. Bujar Rexha u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, z. Besart Xhaferri u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, z. Agron Gjekmarkaj u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, z. Bledion Nallbati u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, me 80 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, të znj. Iliriana Nano, u miratua me 80 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të zgjedhjeve”, të z. Arben Ristani, u miratua me 75 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenim.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të zgjedhjeve”, të z. Dritan Caka, u miratua me 79 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të zgjedhjeve”, të z. Bledar Skënderi, u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të zgjedhjeve”, të znj. Helga Vukaj, u miratua me 76 vota pro, 1 kundër dhe 4 abstenim.

Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr 74 datë 27.10.2025 për “Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.”

Anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore nga Grupi Parlamentar i PS u caktuan si më poshtë:

Z. Damian Gjiknuri bashkëkryetar, z. Arbian Mazniku anëtar, z. Bledar Çuçi anëtar, z. Ulsi Manja anëtar, z. Olsi Komisi anëtar, znj. Aurora Mara anëtare, znj. Ogerta Manastirliu anëtare.

Ndërsa anëtarë zëvendësues u zgjodhën znj. Aulona Bylykbashi, z. Ermal Pacaj, z. Ermal Elezi, z. Erion Malaj dhe znj. Eriona Ismaili, me 81 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër

Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr 75 datë 27.10.2025 për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”

Anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë nga Grupi Parlamentar i PS, u caktuan si më poshtë:

Z. Arbian Mazniku bashkëryetar, z. Blendi Klosi anëtar, z. Damian GJiknuri anëtar, znj. Romina Kuko anëtare, z. Ermal Pacaj anëtar, znj. Mariana Koçeku anëtare, z. Ermal Elezi anëtar dhe z. Klevis Jahaj anëtar.

Ndërsa anëtarë zëvendësues u zgjodhën z. Tërmet Peçi, znj. Etleva Budini, Aulona Bylykbashi, z. Agron Malaj, z. Vasil Llajo, me 80 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim

Gjithashtu, në seancë plenare u miratuan edhe katër projektrezoluta të paraqitura në seancën e mëparshme plenare. Përkatësisht:

Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2024”, me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2024”, me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024”, u miratua me 81 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë se Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2024”, u miratua me 79 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 00.00.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit