Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e pranuar rezultatin si një përgjigje të qartë nga qytetarët, por edhe duke shprehur reflektim për ecurinë e koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI).
“Dje, në raundin e dytë të votimeve ne morëm një përgjigje të qartë nga rezultatet. Faleminderit të gjithëve! Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët tanë të AKI-t për garën e ndershme dhe dinjitoze që patën. Ashtu si ata, bashkohem në urimin për fitore të gjithë kandidatëve që fituan”, u shpreh Taravari.
Ai theksoi se koalicioni që udhëheq ka marrë më shumë vota popullore në rang vendi, megjithatë pa arritur të sigurojë fitoren në drejtimin e komunave. “Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Gjithsesi, në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë – aty jemi fitues dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por fitore kundër një shteti që na mban peng me census”, thotë Taravari.
Në reagimin e tij, kreu i ASH-së foli edhe për emocionet paszgjedhore, duke theksuar se ky moment kërkon reflektim e qetësi. “Këto janë çaste të gëzuara me të drejtë për fituesit, të vështira për ata që nuk ia dolën, dhe plot zemërim për ata që u tradhtuan. Janë edhe çaste qesharake për disa Don Kishotë që janë me grupin fitues vetëm sepse tradhtuan. Por shumica është nën emocion dhe emocioni nuk lejon qartësi”, shkruan Taravari.









