Njëzet vite me radhë BDI’ja i fitonte të gjitha zgjedhjet – ashtu siç i fitoi këto zgjedhje vendore VLENI’i – sepse ashtu donte partia maqedonase në pushet të cilës ajo i shërbente si vasal besnik.
Ju kujtohen, për shembull, zgjedhjet vendore të vitit 2017, kur BDI’së i kanosej rreziku t’i humb të gjitha komunat?
Dhe kur u alarmua LSDM’ja në pushtet dhe i angazhoi drejtuesit e sajë – përfshi edhe ‘mysafirin’ Liube Boshkovski – të shkonin nëpër mitingjet parazgjedhore të kësaj partie shqiptare?
BDI’ja do mbetej në pushtet edhe njëzet vitet e ardhshme sikur kryetari i sajë të mos rritej mendsh e të besonte se është vasal i pazëvendësueshëm.
Si dhe të vetëgënjehej se vasalit i lejohet ajo që i takon vetëm sunduesit – ta drejtojë shtetin.
Dhe tani vetëm naivët mund të mos e shohin se VLEN’i – i përbëre nga mbeturinat e BDI’së – edhe nuk mund të veprojë ndryshe përpos ashtu siç e ka mësuar e ‘ëma’ që e ka lindur dhe rritur.
Ndërkohë duhet pranuar se VMRO-DPMNE e sotme u tregua më e sinqertë se dikur LSDM’ja dhe jo tinëz, por haptazi, u tregoi VLEN’istëve se nëse do tregoheshin të padëgjueshëm, jo vetëm që nuk do i fitonin zgjedhjet, por do mbeteshin edhe pa postin që u është dhënë.
Dhe duke u mbetur besnik parimeve të veta thellësisht njerëzore, duke dashur të dëshmojë se edhe politikani duhet të ketë fytyrë, pra duke u treguar i padëgjueshëm ndaj ‘punëdhënësit’, kandidati për kryetar i Bërvenicës jo vetëm që nuk i ftoi zgjedhjet, por mbeti edhe pa postin e drejtorit.
Por jo pse këtë e dëshironte VMRO-DPMNE’ja, por pse kështu donte VLEN’i që e lufton hapur cilindo shqiptar që don të përurojë një frymë të re politike që ka ndërgjegje dhe dinjitet.
Dhe do mund të ndodh që kandidati i Bërvenicës për kryetar komune të mos mund të punësohet as edhe në ndonjë sipërmarrje private, nga frika e pronarëve se VLEN’i do mund menjëherë t’ua çojë inspektorët dhe policinë?!
Ku ta dish, mbase duhet të bëhemi gati ta shikojmë vazhdimin e filmit që e pamë përderisa parti qeverisëse shqiptare ishte PDSH’ja dhe kur shqiptarët i dhunonte policia e kësaj partie, e ne për këtë e fajësonim VMRO-DPMNE’në e atëhershme.
Dhe sa u përket drejtuesve të sotëm të VMRO-DPMNE’së, ata po tregohen edhe shumë të kujdesshëm ndaj neve shqiptarëve të këtushëm.
Sepse sikur të ishte ndryshe, ata do bënin atë që ua lejon perversiteti jonë politikë: nuk do përfshinin në qeveri asnjë parti shqiptare.
Me çka do na përballnin me të vërtetën se neve nuk na vjen e keqja nga pala maqedonase, por nga poltronizmi brenda nesh.
Si dhe që ta kuptonim se interesin ton kolektiv mund ta mbrojë vetëm ajo parti që nuk do kërkojë poste ministrore e as drejtori ku mund të vjedhësh, por hapjen e kushtetutës që në pjesën e saj normative të thuhet se shqiptarët janë shtetëformues, se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe se qeveria e buxheti i shtetit miratohen vetëm nëpërmjet votimit të dyfishtë.









