Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka orkestruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke e quajtur vendimin “skandaloz” dhe një sulm ndaj SPAK-ut.
Sipas Shehajt, qëllimi i Ramës është të mbrojë Veliajn dhe të pengojë drejtësinë, ndërsa hetimet mund të shtrihen edhe mbi vetë kryeministrin.
Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj
Ditën e djeshme Edi Rama ka përdorur armën më të fortë që ka kundër SPAK-ut dhe kundër drejtësisë.
Ka përdorur Gjykatën Kushtetuese për të goditur SPAK-un në mbrojtje të Erion Veliajt.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një vendim që i duhej Edi Ramës dje që sot të kërkonte lirimin e Erion Veliajt.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është skandaloz.
Praktikisht Gjykata Kushtetuese tha ‘që një kryetar bashkie pavarësisht se është në hetim për korrupsion, pavarësisht se është në burg prej 8 muajsh, ai duhet të vazhdojë të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës’.
Dhe këtë Gjykata Kushtetuese e bën qartësisht për llogari të Edi Ramës i cili nuk ka më se si të fshihet dhe duhet të fillojë të sulmojë drejtësinë sepse po venë drejt Edi Ramës.
Pasi SPAK-u ka arrestuar Erion Veliajn, po heton Ballukun, po heton njerëzit më të afërt të Edi Ramës, tani nuk ka më kohë, tani po fillon lufta e vërtetë midis politikës së korruptuar dhe drejtësisë që kërkon t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.








