Politika, SPAK-u dhe krimi po përpiqen të vendosin për Shqipërinë e vitit 2030.
1.
Duke lexuar raportin e BE-së për Shqipërinë më duket se Shqipëria në pesë vjetët e ardhshëm po hyn në një garë mes tri forcave shtytëse shoqërore.
E para është pushteti, gjegjësisht agjenda evropiane e tij. Shqipëria ka hyrë në një shpejtësi të paprecedent integrimesh evropiane. Çdo diplomat dhe vrojtues me të cilin kam folur apo nga i cili dhe e cila kam lexuar konstatojnë se Shqipëria ka vendosur një ekip të mirë negociator, me të tregon përkushtimin e të gjitha segmenteve të pushtetit dhe në krye të kësaj përpjekjeje me Edi Ramën ka njeriun që komunikon në formë të veçantë – duke krijuar simpati gjithandej- përcaktimin e Shqipërisë për të qenë vend anëtar i BE-së. Shqipëria, me jo pak kontribut të agresionit të Putinit në Ukrainë e me nuhatje të mirë politike të kryeministrit të vendit, ka identifikuar këtë dritare historike për një integrim të shpejtuar në BE
Forca e dytë është SPAK. Prokurorët “specialë” dhe gjyqtarët “specialë” janë shndërruar në forcë të pavarur shoqërore (dhe shtetërore) që përpiqen të zbatojnë dy gjëra. Një, të zbatojnë atë që do të duhej ta bënin prokurorët dhe gjyqtarët e përditshmërisë, pra ata “normalë”. Dhe dy, “specialët” kanë detyrë që të zbatojnë ligjin ndaj krimeve të profilit të lartë, mes tjerash edhe sipas kërkesës së BE-së. Profili i lartë në këtë rast është kod për drejtuesit politikë (ndonëse në Shqipëri profil i lartë mund të jenë edhe persona të lidhur me botën e mediave, politikës e krimit njëkohësisht- një gjë jo aq e rrallë).
Dhe forca e tretë është krimi i organizuar. Gara e kësaj force nuk janë “çunat” me vetura të shtrenjta që gjuajnë njëri-tjetrin me kallashnikov në qytete të ndryshme, por paraja e madhe e krimit të organizuar e cila po akomodohet si e legalizuar në ekonominë e vendit dhe që kërkon, pos respektit të shoqërisë edhe dy gjëra: që të ndihmohet nga politika në akomodim të mëtejmë dhe që ndoshta më pastaj të ndikojë tek politika në mënyrë që ky akomodim të bëhet i pakthyeshëm – pra, që duke braktisur njëherë (për shembull) kontrabandën me narkotikë për të adoptuar turizmin apo ndërtimtarinë, të mos bëhen të ndëshkueshëm me burg e konfiskim pasurie për të kaluarën.
2.
Këto tri forca kanë bashkëjetuar dhe bashkëjetojnë në Shqipërinë e këtij momenti. Që nga hapja e “dritares evropiane” , kryeministri i vendit i ka prirë një fushate të gjithanshme mobilizuese për ta bërë Shqipërinë të pranueshme për vendet anëtare të BE-së. Ofensiva e nurshme, imazhi i Shqipërisë tashmë krijon një reagim instinktiv buzëqeshje (ndonjëherë edhe më shumë se kaq kur batutat janë më të forta) te vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni. Shqipëria është gjithnjë më shumë ngjyrë e shije Mesdheu verior dhe gjithnjë e më pak apo fare ajo gri e post-komunizmit imediat. Një shtresë e mesme qytetarësh të Shqipërisë, rinia e dikurshme e fillimit të tranzicionit dhe fëmijët e tyre, sot janë të aftësuar për një treg të punës që lehtë mund të integrohet në atë të vendeve të BE-së.
SPAK-u ka demonstruar që mund të merret me raste të profilit të lartë duke arrestuar dhe gjykuar anëtarë të dikurshëm të qeverisë të udhëhequr nga partia në pushtet dhe duke arrestuar me jo pak spektakël ish presidentin e vendit (i cili ka mbajtur me përjashtim të pozitës së kryebashkiakut të Tiranës të gjitha postet më të larta të Shqipërisë) si dhe kryebashkiakun në detyrë të kryeqytetit. Madje, këta dy të fundit, në një shenjë tejdëshmie ortodoksie, duke i mbajtur në paraburgim të gjatë para gjykimeve ku nuk ka akuza vrasje, kërcënimi, kanosje a rrezikimi me jetë. Me këto mëtohet t’i jepet BE-së mesazh për aftësi gjithnjë e më të mëdha të vendit për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Dhe krimi ka pasur akses të papenguar për të qarkulluar euro, dollarë dhe paund në vlera shtatëshifrore në përpjekje në masë të madhe të suksesshme për të kaluar prej tregut të madh informal në një treg gjithnjë e më të madh të formalizuar.
Raporti i BE-së i vitit 2025 i ka gjetur të gjitha forcat në një pajtim të padeklaruar (dhe të padakorduar) të ndërsjellë. Pushteti do të ndjekë intensivisht rrugën e vet evropiane, SPAK-u do të arrestojë e gjykojë pjesë të atij pushteti në emër të detyrave integruese evropiane e krimi i organizuar do të hyjë me sukses në jetën formale (pra institucionale) të vendit, si pjesë e zhvillimit ekonomik që duhet ta shpjerë vendin në konvergjencë me vendet e Bashkimit Evropian.
3.
Mbase me ditën e djeshme kur doli në pah raporti më inkurajues që ka pasur ndonjëherë Shqipëria shtrohet pyetja se çka do të ndodhë me bashkëjetesën mes këtyre tre aktorëve, gjegjësisht a mund të vazhdojë ajo si deri më sot?
Varet si bëhet leximi i roleve. Një lexim determinist i roleve do të thoshte se në këtë garë jo të tri forcat do të arrijnë në cak. Pushteti që dëshiron të arrijë në cakun e vitit 2030 nuk do të duhej të ishte i interesuar që këtë rrugëtim ta bëjë me paranë dhe ndikimin e krimit të organizuar. Ky pushtet po ashtu do të frikësohet prej aferës së ardhshme të profilit të lartë që do të zbulojë SPAK-u; nga “profile të larta” më nuk kanë mbetur zëvëndëskryeministra.
Ky është konstatim me të njëjtën vlerë për SPAK: çka bëhet kur profili i lartë i ardhshëm i mbetur është vetëm ai i kryeministrit? Dhe, ky është pastaj konstatim për analizë nga ana e krimit të organizuar, i cili si çdo investitor serioz kërkon parashikueshmëri në pushtet e sundim të ligjit: çka bëhet nëse ndryshon gjendja e tanishme e tolerancës në kalimin prej informalitet në arenën legjitime?
Një lexim me më shumë liri poetike mund të thoshte ndryshe. Mund të thoshte se pushteti do të paraqesë një gjeneratë të re zyrtarësh shtetërorë që me plot meritë tregojnë se kanë kapacitet të njëjtë a më të lartë administrativ reformues siç kishin shtetet e tjera të anëtarësuara (si Kroacia, për shembull).
Mund të thoshte se SPAK do të mbërrijë atë nivel kënaqje me ndëshkueshmërinë (një konsensus i ri kombëtar) sa që prokuroria e gjyqësia të mos jenë më speciale. Dhe mund të thoshte se tranzicioni i krimit të organizuar në ndërmarrje legjitime hotelierike, ndërtimtare, agrobiznesi e të ngjashme, ka bërë që turisti, blerësi i apartamentit dhe eksporti i agrumeve të jenë më atraktive se bartja e mallrave jolegale prej Amerikës Latine nëpër portet e Evropës.
4.
Por, ndoshta më shumë se analiza e leximeve për ta kuptuar realitetin e pesë viteve të ardhshme është ajo barsoleta e përfolur në të gjitha vendet me korrupsion kur ish-ministri nga shtëpia e vet luksoze e pyet mysafirin “a e sheh atë urë që e ndërtova si ministër” dhe kur merr përgjigje negative i shpjegon pa fjalë se si jeton në luks.
Në Shqipëri këtë javë u iniciua një rast ndaj zëvëndëskryeministres së vendit që i vënë në barsoletë do të tingëllonte si “a e di pse tuneli i Llogarasë kushtoi 50 milionë euro më shumë se sa duhej?”. Pyetja e ardhshme më duket edhe më afër asaj të barsoletës : a e sheh se si incineratorët po e djegin bërllokun në Shqipëri? Për disa vjet që e dëgjoj këtë pyetje ende nuk është dhënë përgjigjja evidente- incineratorët nuk ekzistojnë, si stabilimente në funksion.
Nga kjo e përgjigje të ngjashme mbase mund të kuptohet filli i pesë viteve të ardhshme dhe mënyrës se si do të zhvillohet gara mes të tre forcave shoqërore: është ballafaqim me një realitet të pashmangshëm dhe ky realitet i pashmangshëm do të ishte moment kthese në perceptimin publik, pra të medieve të vendit.
Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë ku për së paku tre vjet rresht është shtruar pyetja “ a e sheh atë incinerator?” dhe një shumicë e madhe përkundër moskekzistencës së tyre ,nuk ka mundur të thotë jo.
Mbase arsyeja qëndron se për dallim prej shumë shteteve të tjera, mediet apo një masë e madhe me ndikim e tyre që në shtete të tjera do të ishin “pushteti i katërt”, e vështrojnë këtë garë nga brenda- qoftë si partnerë pushteti, qoftë si “klientë” të ardhshëm të SPAK-ut, qoftë si të afërt me krimin. Apo, qoftë si të ndërlidhur me të tria njëkohësisht./KOHA








