Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me intervistën e biznesmenit Behgjet Pacolli me gazetarin Blendi Fevziu, duke e cilësuar atë si provë të qartë të korrupsionit në koncesionin e Aeroportit të Vlorës.
Bardhi kërkon që SPAK të administrojë menjëherë dëshminë e Pacollit si provë, duke theksuar se “koka e korrupsionit” ende nuk është vënë nën hetim.
Sipas tij, afera e Aeroportit të Vlorës përbën shkelje të Kushtetutës, ligjit të prokurimeve dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, ndërsa nënvizon se edhe “dhurata” e spitalit të Fierit lidhet me të njëjtën skemë korruptive.
“Dëshmia e Behgjet Pacollit përbën një të dhënë unike për SPAK dhe një detyrim për t’u administruar si provë menjëherë për të kuptuar se koka e korrupsionit akoma nuk është vendosur nën hetim. Ose të paktën ne nuk kemi njoftim për këtë.
Afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës ka nevojë të hetohet me shpejtësi, pa ndikim politik dhe me profesionalizëm.
Këtu nuk është në diskutim vetëm rrënimi i shtetit shqiptar nga korrupsioni. Është në diskutim shkelja e çdo kontrate me Bashkimin Europian. Është shkelur jo vetëm ligji i prokurimeve dhe Kushtetuta, por edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Ky po që është një regres i paprecedentë! Dëshmia e Behgjet Pacollit na zbardhi dhe arsyet e dhuratës aq urgjente të spitalit të Fierit. Asnjë dhuratë. Vetëm korrupsion!”, u shpreh Bardhi.








