Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka reaguar ndaj buxhetit të vitit 2026 për arsimin dhe shkencën, duke e cilësuar atë si tregues të qartë se qeveria nuk e konsideron arsimin një prioritet zhvillimi.
Sipas Sulës, buxheti i parashikuar prej 2.53% të PBB-së nuk përputhet me nevojat reale të sistemit arsimor dhe as me rekomandimet ndërkombëtare.
Ajo theksoi se fondet për arsimin parauniversitar, të lartë dhe kërkimin shkencor janë minimale dhe nuk do të sjellin përmirësim në cilësinë e arsimit në vend.
DEKLARATA E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA
Buxheti për arsimin dhe shkencën, që u paraqit nga qeveria, tregon atë ç’ka ka njoftuar Partia Demokratike disa herë, se arsimi parauniversitar, arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, nuk konsiderohen prioritete të zhvillimit të vendit.
Ndërmjet financimit të arsimit dhe edukimit dhe financimit të koncesioneve të oligarkëve, qeveria zgjedh të financojë oligarkët dhe klientët e saj.
Buxheti për arsimin dhe shkencën në 2.53% të PBB-së, nuk përputhet as me rëndësinë strategjike të sektorit, as me nevojat urgjente të adresuara nga institucionet ndërkombëtare, as me ndalimin dhe zgjidhjen e krizës së sistemit parauniversitar dhe të lartë.
Kujtojmë se Vlerësimet e fundit ndërkombëtare, si PISA, treguan rënien alarmante të nivelit të nxënësve tanë. Ndërkaq, universitetet tona nuk përmbushin asnjë nga treguesit e cilësisë, dhe nuk arrijnë as të vlerësohen dhe as të rankohen në vlerësimet ndërkombëtare.
Ligjërimi i përdorur, në ato që qeveria i konsideron prioritete 2026-2028 në arsim, tregon për papërgjeshmërinë e saj për këtë fushë me rëndësi përcaktuese për sot dhe të ardhmen e vendit. Flitet në mënyrë të përgjithshme, pa asnjë të dhënë statistikore për probleme të rënda të arsimit që kanë ardhur duke u përkeqësuar nga viti në vit, si për Rritjen e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor; për reduktimin e numrit të klasave kolektive, në arsimin parauniversitar.
Pretendohet të rritet numri i nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm duke lënë jashtë sistemit arsimor 16% të nxënësve 15-vjeçarë, minorenë të pambrojtur ndaj papunësisë, varfërisë dhe margjinalizimit social – objektiv që nuk na largon nga anëtarësimi në BE.








