Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas shfaqjes së Kryeministrit Edi Rama në krah të të pandehurës Belinda Balluku.
Ai theksoi se me këtë veprim, Rama ka treguar se është i kapur dhe vepron nën urdhrat e saj. Bardhi e akuzoi Kryeministrin për korrupsion dhe lidhje me Ballukun në aferën e Llogarasë, duke e quajtur atë “aritmetikë politike të korrupsionit”.
Ai shtoi se Rama është i pafuqishëm ta largoje Ballukun pasi të dy janë të përfshirë në skandale të ngjashme.
Postimi i plotë:
Aritmetika politike e korrupsionit!
Prej sot, de fakto kryeministre e Shqipërisë është një e pandehur nën akuzë penale dhe në hetim nga SPAK. Shfaqja së bashku për herë të parë e Edi Ramës dhe Belinda që nga 31 Tetori, kur Belinda Balluku u mor e pandehur nuk lë më vend për dyshim se kryeministri është peng dhe vepron nën urdhrat e saj.
Edi Rama eshtë i pafuqishëm ta largojë, sepse të dy janë bashkë në aferën e Llogarasë. Janë bashkë në korrupsion. Bashkë në pakte mafioze heshtjene.
Kjo është aritmetika politike e korrupsionit. Aty ku numri 2 i qeverisë është i pandehur dhe ende në detyrë, numri 1 i qeverisë është i kapur.
/5pyetjet.al








