I ftuar në emisionin “5Pyetjet”, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, komentoi ngërçin e fundit në Kuvend pas pesë seancave të dështuara.
Ai theksoi se përplasjet për projektligjin mbi barazinë gjinore dhe incidentet politike që e shoqëruan kanë nxjerrë në pah një përqendrim të madh të pushtetit te kryeministri Edi Rama, ndërsa opozita duket e dobët dhe shpesh e pajtuar me mazhorancën.
“Fakti që u bënë pesë seanca për të njëjtën çështje tregon se problemi nuk është vetëm ligji në fjalë për barazinë gjinore, por edhe incidentet politike që e shoqëruan. Në projektligjet gjenden disa kleçka të ndryshme që e bëjnë Edi Ramën të fuqishëm të vendosë për gjithçka, gjithçka është me firmën e Edi Ramës, nga tulla e deri te çdo vendim tjetër.
Janë përgatitur pesë herë për të njëjtën gjë. Është dorëzimi i të dyja palëve si nga PS po ashtu edhe nga PD, sepse kur u dha pushimi 30 minuta në parlament dhe më pas erdhi Taulant Balla, u tha që nuk do të flitet më për këtë konsensus. Unë mendoj që janë në bashkëpunim me njëri-tjetrin,” tha Muçi.








