Koha e hipokritëve
Më kujtohet jo pa emocion dita kur filloi koha e hipokritëve.
Ishte viti 2013.
Sistemi i propagandës kishte nisur të depërtonte në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare.
“Nuk i duhet lënë askujt tre mandate,” thoshin.
“Është për të mirën e demokracisë,” shtonin.
Me bindje të hekurt, pishtarët e rotacionit flisnin për “parime”, për “rregulla të shenjta” sikur të mos kishte rëndësi kush vinte në pushtet, mjafton që të kishte rotacion.
Unë e dija që ishte hipokrizi.
Por nuk e dija se ishte fillimi i një valleje që do zgjaste dekada,
ku hipokritët do ndërronin maskat, por jo rolin.
Sot, pas katër mandatesh, kërkoj kot mes miqve e të njohurve “parimin e madh” që dikur mbrojtën me pasion.
Është zhdukur.
E kanë mbytur gënjeshtrat më të mëdha që ekzistojnë,
Ato që njeriu i tregon vetes.
Vitet kalojnë,
arsyet ndryshojnë,
por përfundimi është gjithmonë i njëjtë:
Regjimi sundon.
Në 2013 rotacioni ishte “parim”.
Në 2021 “fajin e kishte PD-ja që nuk frymëzonte”.
Në 2025 “fajin e ka Saliu që është i vjetër”.
Të njëjtët njerëz, justifikime të ndryshme.
Ata janë hipokritët që sot,
më flasin për të mirën time, për të mirën e Shqipërisë,
por në fakt, më këndojnë këngën e sirenave, duke më ftuar drejt nënshtrimit.
Hiqeni Berishën thonë, dhe jeta juaj do të jetë më e bukur,
Dielli do shndrij më fortë, qielli do të jetë më blu.
Hiqeni Berishën dhe Regjimi do dorëzohet,
Mafia do ul armët, patronazhistët do bëhen qytetarë model.
E kështu me radhë, pjesën tjetër e kuptoni vet.
Po a i duhet kujtuar hipokritëve se në 2017 Basha bëri listën e vet në mes të natës, zhduku logon dhe emrin e PD-së për konceptin e “Republikës së Re”?
A duhet kujtuar se ishte humbje e dhunshme, e asaj që u quajt “strategji e re”?
A duhet kujtuar se çdo parti e re që ka lindur që atëherë, ka marrë vetëm hije, jo dritë?
Se shqiptarët kanë pasur mundësin jo më vonë se 3 ditë, të zgjedhin të ndryshëm nga ne, demokratët?
Në thelb, hipokritët e djeshëm dhe të sotëm,
Urrejnë demokracinë.
Urrejnë lirinë.
Ndaj me ne, nuk mund të pajtohen kurrë.
Si mund të arsyetosh me ata që kanë një justifikim për çdo gjë?
Në çdo kohë, hipokritët gjejnë arsye për të justifikuar dobësinë e tyre të karakterit.
E pranojnë nënshtrimin sepse është rruga më e lehtë.
Rruga që na shpëton nuk është ajo e lehtë.
Është rruga e vështirë, e lodhshme, e mendimit kritik,
ajo që kërkon analizë, dyshim, ballafaqim.
Rruga që nis me një pyetje të lashtë:
A e njohim ne veten tonë?
Është pyetje thelbësore,
sepse hipokritët nuk i ndryshojmë dot.
Ndërsa veten tonë, po.
Dhe me te, mund të marrim përpara regjimin.
Por për ta njohur veten, duhet të çlirosh fjalën.
Është kusht i pazëvendësueshëm.
Duhet të kesh guximin të përballesh me realitetin, pa maska dhe pa frikë.
Por a po e bëjmë këtë sot?
Fatkeqësisht, koha e hipokritëve ka hyrë edhe mes nesh.
Edhe tek njerëz me të cilët kemi ndarë beteja, shpresë dhe ideal.
Po, jetojmë nën sundimin e një regjimi autokratik,
Po, regjimi përdor çdo mjet,
krimin, administratën, manipulimin, blerjen, propagandën.
Po, Po, Po, Po.
Por kjo nuk justifikon çdo gjë.
Sepse regjimi mund të shpjegojë sistemin e nënshtrimit që ka ngritur,
por nuk justifikon dobësinë e karakterit që e pranon.
Sot, mes nesh ka njerëz që e përdorin regjimin si alibi për të mbuluar paaftësinë e tyre për të ndryshuar veten.
Për të ndryshuar të tjerët.
Sot, mes nesh, ka njerëz që e përdorin regjimin si alibi për të mbuluar mungesën e veprimit.
Mungesën e përgjegjësisë.
Kjo na vendos në një situatë morale të vështirë,
Sepse duhet të gjejmë rrugën pa ushqyer mullirin e regjimit.
Foltorja ishte arritja më e madhe e demokracisë moderne,
Ajo duhet të përsëritet, e zmadhuar nga mësimet e gabimeve që e preken.
Çlirimi i fjalës = antidoti i kohës së hipokritëve.
Çlirimi i fjalës = energjia pozitive e ndryshimit.
Çlirimi i fjalës = jetëzimi i teorisë së hapësirave.
Çlirimi i fjalës = besimi se militanti është çelësi.









