Kryetari i Patisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për shtyp, ka komentuar atentatin e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit, ku i vrarë mbeti Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe i plagosur rëndë Muçi Shaljani , agjent i AMP-së.
Berisha thotë se kjo ngjarje është kryer për llogari të bandave kriminale që kanë lidhje me shtetin ndërsa thotë se në zonë prezent kanë qenë dhe forca të FNSH të pozicionuara aty që pas grabitjes së një shume parash në Rinas.
“Ekzekutimi publik i djeshëm i Gilmando Danit, eksponent kryesor i organizatës kriminale të Emiljano Shullazit, dhe plagosja e rëndë e Muçi Shaljanit apo Sheqerit, në pamje të parë shofer i drejtorit të shërbimeve inteligjente të Policisë së Shtetit dhe inspektor policie, por në fakt një bos, edhe ky bashkë me vëllanë e vet i krimit të organizuar dhe drogës, është një ngjarje e cila u patronua kryekëput nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë se sa banda e Shullazit.
Vendi i ekzekutimit publik të tyre, në protokollet e sigurisë publike është vendi më i ruajtur se çdo vend tjetër. Në atë zonë, përveç patrullës së policisë së rendit, është patrulla e policisë rrugore dhe po aty ngjitur është furgoni i FNSH-së, i instaluar aty që pas vjedhjes së shekullit të parave në aeroportin e Rinasit. Është edhe një njësi, e cila rri aty në mbrojtje të sallonit të VIP-ave, kur kalojnë qeveritarët.
Pra, nuk ekziston asnjë zonë tjetër, asnjë territor tjetër në të cilin të kryqëzohen në mbikëqyrje kaq shumë forca policore dhe speciale. Është gjithsej 100 metër nga rajoni i policisë së Rinasit, është pak metra nga dalja e sallonit të VIP-ave”, tha Berisha.
Berisha: Do të kërkojmë dorëheqjen e ministres Koçiu dhe Pirro Vengut pas atentatit në Rinas








