Marrëveshja e Armëpushimit midis Izraelit dhe Gazës, nën kujdesin dhe ndërmjetësimin vendimtar amerikan ka ngjallur shpresa dhe pritshmëri për një marrëveshje të tillë edhe midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo çështje madhore po shtrohet gjithandej në qarqet politike dhe në median ndërkombëtare. Nëse teorikisht kjo çështje dhe një përgjigje pohuese ndaj saj është e përligjur në Gaza dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi, kur vjen puna te Rusia, Ukraina dhe Europa, ajo tingëllon shumë më tepër si « dëshirë e mirë» se sa një realitet i mundshëm.
Pa hyrë në teorizime akademike, për këtë mjafton të shihen, qoftë dhe kalimthi, dallimet e mëposhtëme, me pluset, minuset dhe specifikat e tyre për të dyja rastet.
Së pari, në Lindjen e Mesme Armëpushimi është vendosur në një enklavë si Gaza, ku Hamasi, megjithë rreziqet dhe kërcënimet rajonale nuk ka ndonjë rol të ndjeshëm gjeopolitik dhe është pothuajse i izoluar ndërkombëtarisht.
E kundërta ngjet me Rusinë, e cila është vend i madh, anëtar i përhershëm i KS të OKB-së, fuqi bërthamore, që ka mbështetjen e Kinës, Koresë së Veriut, Iranit dhe shumë shteteve të tjera të mëdha të BRICS dhe Jugut Global.
Ndryshe nga Hamasi në Gaza, i cili synon shkatërrimin e një shteti si Izraeli, por pa mbështetje të vendet e tjera arabe, veç Iranit dhe deri diku Turqisë, Rusia ka piksynime strategjike kontinentale dhe më gjerë si fuqi e madhe ushtarake në një botë shumëpolare. Ukraina si ish pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe me prirje të qarta perendimore është « kurbani i parë” rus, por jo i fundit. Putini e ka deklaruar me kohë se shpërbërja e ish BS-së ishte katastrofa më e madhe kombëtare dhe se ai do të bëjë gjithçka për të rikthyer perandorinë e dikurshme cariste ose sovjetike. Ndaj agresioni i paprovokuar kundër Kievit ishte vetëm hapi i parë në zinxhirin e veprimeve të tij subversive. Tashmë është e qartë se një sulm ndaj vendeve anëtare të NATO-s është vetëm çështje kohe. Ja pse Europa me të drejtë muajt e fundit ka filluar procesin e riarmatimit dhe kthimin në një bashkim të madh mbrojtës, me Gjermaninë në krye, që synon të bëhet fuqia më e madhe ushtarake të BE-së.
Më tej, Marrëveshja e Armëpushimit në Gaza është produkt i një investimi të madh politik, diplomatik, ekonomik, ushtarak dhe humanitar që ka vijuar për dekada të tëra sidomos nga SHBA-të dhe BE-ja. Rikujtojmë këtu Marrëveshjen e famshme të Oslos të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë 32 vite më parë dhe përpjekje të tjera.
E kundërta ka ndodhur midis Rusisë dhe Ukrainës në 35 vitet e fundit, veçanërisht në vitin 2004 me revolucionin «Portokalli», me protestën masive në vitin 2014, dhe aneksimin ushtarak të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, të cilat vetëm se kanë thelluar hendeqet armiqësore midis Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit në përgjithësi. Edhe dy marrëveshjet e Paqes në Minsk midis Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin Franko-Gjerman nuk dhanë asnjë rezultat deri sa ndodhi agresioni rus i 24 Shkurtit 2022. Për pasojë, klima, atmosfera dhe terreni midis Rusisë, Ukrainës dhe Europës është jo vetëm i helmuar, por edhe i minuar.
Së treti, është tejet e rëndësishme të theksohet se dallimin e madh në arritjen e Marrëveshjes së tanishme për Gazën e bëri ushtrimi nga SHBA-të i diplomacisë së forcës ( coercive diplomacy). Rikujtojmë luftën 12 ditore të Izraelit në qershor dhe goditjet asgjënsuese të aviacionit bombardues strategjik amerikan kundër bazave bërthamore të Iranit. Ato dëmtuan seriozisht aftësitë luftarake iraniane dhe « dy ushtrive të saj rezervë » dmth Huthëve dhe Hamasit. Këtë diplomaci force, imponimi dhe shtrëngimi Trump e përdori me shumë sukses deri në momentet e fundit, të shoqëruar dhe me metodat e diplomacisë klasike, të ecejakeve, etj.
Mirëpo, ndryshe nga Gaza, në vend që Presidenti Trump të përdorte madje akoma më shumë diplomacinë e forcës, të kërcënimit dhe imponimit ndaj Rusisë, ai ka parapëlqyer dhe ka përdorur deri javët e fundit kryesisht diplomacinë zbutëse/ qetësuese (appeasement diplomacy), me qëllim normalizimin dhe lulëzimin ekonomik të marrëdhënieve me Rusinë. Njihen tashmë shembujt e shumtë të kësaj diplomacie pa rezultat të Trump-it ndaj Rusisë gjatë gati 10 muajve të Presidencës së tij të dytë. Ca më keq akoma, fillimisht ai e përdori diplomacinë e forcës dhe kërcënimit ndaj Ukrainës dhe aleatëve europianë.
Në fakt, mbështetur në doktrinën e tij transaksionaliste, duket që më shumë se një marrëveshje për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, Presidenti Trump kërkon një ujdi të madhe ekonomike dhe tregtare me të dyja vendet, por sidomos me Rusinë, duke barazuar agresorin rus me viktimën ukrainase.
Për pasojë, ai synonte thjesht t’i ulte të dyja palët në tryezën e negociatave, ndërsa pjesën tjetër le ta mbaronin vetë Putini me Zelenskin ose dhe Europa, sepse siç ka pohuar edhe vetë, ajo nuk është lufta e tij por e Bidenit dhe Europës. Ashtu si edhe në rastin e Gazës, meraku më i madh i Trump dhe ngutit të tij është suksesi i shpejtë si paqebërës, buja mediatike dhe Çmimi Nobel, me të tjerat nuk ia vlen, le të merren të tjerët!
Më tej, në Gaza, SHBA-të dhe Presidenti Trump ia dolën të kenë në anën e tyre me trysni të shtuar ndaj Hamasit Arabinë Saudite, Katarin, Sirinë, Libanin dhe Turqinë, kjo e fundit me shumë ndikim mbi Palestinën dhe Hamasin dhe me shumë interesa ushtarake me SHBA-të. Me këto vende, bashkë me normalizimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve të tyre me Izraelin, Trump synon të bëjë ujdi të mëdha tregtare; për këtë qëllim ai ka punuar qysh gjatë Presidencës së tij të parë nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike « Abraham ».
Megjithatë, sigurimi i mbështetjes së tyre ishte i vështirë, mbasi vendet e lartpërmendura nuk do të jepnin viston nëse Izraeli do të vazhdonte me bombardimin pa kriter të Gazës, duke shkaktuar dhjetra mijra të vrarë e të plagosur të pafajshëm. Ndaj, vendet arabe do ishin të gatshme për ujdira tregtare me SHBA-të vetëm me një Izrael në paqe me Palestinën dhe pa Hamasin.
Gjithashtu, bashkëpunimi me BE-në, sidomos lidhur me planet ekonomike për rindërtimin e Gazës ishte një vlerë e madhe e shtuar e kësaj marrëveshjeje.
POR, ndryshe nga Gaza, me ndonjë përjashtim, Trump në rastin e luftës Rusi – Ukrainë ka vepruar i veçuar nga aleatët e tij europiane. Vetëm dështimi në Alaska në takimin me Presidentin Putin më 15 Gusht dhe kohezioni politik i treguar menjëherë nga Europa e detyroi atë t’i ftojë ata në Zyrën Ovale tri ditë më vonë, më 18 Gusht, t’i dëgjojë dhe të reagojë pozitivisht ndaj sugjerimeve të tyre.
Shkaku dhe arsyeja tjetër madhore e suksesit në Gaza, por tejet e vështirë për t’u realizuar në Ukrainë është se SHBA-të me aleatët e tyre të BE-së e konsiderojnë armëpushimin atje vetëm si fazën e parë drejt një marrëveshje shumë më të gjerë paqeje me 20 pika. Komponentët e tjera kryesore të saj janë çarmatimi i Hamasit, largimi tij nga qeverisja e vendit në favor të një bordi administrimi të kryesuar nga vetë Trump, rindërtimi i Gazës, ku krahas të tjerëve do të luajë rolin e vet madhor edhe BE-ja, zhvillimin e zgjedhjeve të reja, reformimin dhe së fundi njohjen e shtetit palestinez sipas zgjidhjes me dy shtete. Ndonëse kjo e fundit nuk është shprehur « copë »te 20 pikat, përfshirja e saj në këtë marrëveshje ishte arritje e spikatur diplomatike, ndonëse SHBA-të dhe Izraeli ende nuk e kanë për zemër këtë version.
Pikërisht prania e këtij plani gjithëpërfshirës dhe konsensual, që le ta theksojmë mungon midis Rusisë dhe Ukrainës, përbën garancinë më të mirë për vazhdimin dhe kurorëzimin e përpjekjeve për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Ndonëse kjo është sfidë e madhe dhe e vështirë, për shkak të mungesës së kohezionit te lidershipi i përçarë i Hamasit në Gazë, mbas vrasjes së liderëve të mëparshëm autoritarë, si dhe qëndrimet provokuese të qarqeve ekstremiste në Izrael që kanë filluar të shfaqen me shkeljet e armëpushimit nga të dyja palët. Garancia më e mirë në këtë rast, pas hamendësive dhe dyshimeve të ngritura mbetet qëndrimi i vendosur i Trump ndaj të dyja palëve dhe roli i Turqisë.
Më tej, Marrëveshja e Armëpushimit në Gaza ishte edhe rrjedhojë e trysnisë së jashtëzakonshme publike në të gjithë botën, madje brenda SHBA-ve dhe në Europë, nëpërmjet protestave masive pro-palestineze. Rol nxitës këtu luajti njohja e Palestinës në Samitin e organizuar më 22 Shtator në selinë e OKB-së në Nju Jork nga Franca, Britania e Madhe, Kanadaja, Portugalia, Belgjika dhe vende të tjera.
Mirëpo kjo trysni e gjerë publike është e munguara tjetër e madhe në rastin e luftës Rusi – Ukrainë. Eshtë tjetër gjë miratimi i rezolutave në OKB pro Ukrainës me mbështetjen e mbi 140 vendeve në OKB; mirëpo ato nuk janë të detyrueshme dhe kryesorja, shumica e tyre nuk e kanë dënuar agresionin rus dhe nuk u janë bashkuar sanksioneve ekonomike, pêr shkak të interesave të tyre te shumta politike dhe ekonmike me Rusinë.
Dallimi tjetër i rëndësishëm është se Lindja e Mesme sidomos në pikpamje të sigurisë konsiderohet praktikisht zonë e influencës amerikane. Ndaj Rusia, Kina dhe vende të tjera nuk patën ndonjë ndikim dhe as nuk kundërshtuan veprimet amerikane dhe izraelite në dinamikat më të fundit në Lindjen e Mesme; madje ato e përshëndetën marrëveshjen e armëpushimit dhe rolin e Presidentit Trump.
Ndërsa në Europë këtë « zonë influence » po e kërkon Rusia, me mbështetjen e vendeve të njohura dhe deri diku dhe të SHBA-ve, edhe pse në formë të kamufluar.
Tani së fundi Presidenti Trump duket se e ka kuptuar që Putini po luan dhe po manipulon atë dhe kohën. Putini i ka shfrytëzuar zik zaket politike të Trump dhe përçarjet me BE-në për të vijuar luftën e tij në Ukrainë. Sepse, ndryshe nga Gaza, ku ka vend për kompromis, Putini do një paqe « alla ruse » dmth një Ukrainë pa NATO, pa ushtri, pa trupa perendimore, pa garanci të huaja sigurie dhe pa territoret e vitit 2014, shkurt ai do pra kapitullimin dhe pushtimin e ri të Ukrainës!
Gjithashtu Trump e kuptoi edhe pse me shumë vonesë, se Putini nuk do as armëpushim, qoftë dhe të përkohshëm, duke shuar kështu çdo mundësi për ndonjë ujdi të leverdishme, siç do ta donte Trump. Ndaj me të drejtë anuloi takimin në Budapest, mbasi ai do të ishte më i keq se Alaska dhe vendosi sanksionet ndaj naftës ruse. Gjithsesi, tani pritet të shihet konseguenca në zbatimin e tyre, pikë e dobët e Trump, se në shumë raste ai ka treguar se çfarë thotë sot e mohon nesër!
Ja, për të gjitha këto dallime dhe kontraste të mëdha, Marrëveshja e Armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të zbatohet midis Moskës dhe Kievit.
Madje, dhe vetë Marrëveshja e Armëpushimit në Gazë po konsiderohet me shumë «një pauzë ndërmjet dy luftrave». Sepse kthimi i saj në marrëveshje paqeje dhe sidomos zbatimi i saj që mbetet «Thembra e Akilit» kërkon akoma më shumë punë, që të mos shuhet si «flakë kashte», ashtu siç ka ndodhur me paraardhëset e saj./ DITA









