Pas heqjes së tabelës me thënien profetike nga oborri i xhamisë “Ebu Bekër” në Shkodër, myftiu Muhamed Sytari ka reaguar publikisht për herë të parë.
Gjatë një aktiviteti përkujtimor në xhaminë e Rusit, në kuadër të 35-vjetorit të faljes së parë të xhumasë pas regjimit komunist, ai e kritikoi drejtorin e policisë vendore, Gentian Berberi, duke e quajtur “rrugaç me pushtet”.
Sytari theksoi se mesazhi i tabelës do të vendoset kudo në qytet dhe do të shpërndahet më gjerësisht.
“Ajo tabelë do të shumëfishohet dhe do të vendoset në çdo cep të Shkodrës. Askush nuk mund ta ndalë. Ne nuk frikësohemi nga ata që abuzojnë me pushtetin,” u shpreh myftiu.
Në të njëjtën ditë, Kisha Katolike e Shkodrës kremtoi 35-vjetorin e meshës së parë publike në varrezat e Rrmajit, të mbajtur nga Dom Simon Jubani në nëntor 1990, duke rikujtuar ringjalljen e lirisë fetare pas periudhës së ndalimit të besimit gjatë komunizmit.
Ceremoninë e drejtoi arqipeshkvi emëritus, Imzot Angelo Massafra, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së besimit dhe lirisë fetare në qytet.









