Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti para ndeshjes me Anglinë u shpreh në konferencën përpara mediave se pavarësisht arritjes së objektivit, ekipi do të futet në fushë për të marrë tre pikët.
“Ne do të futemi në fushë për të marrë tre pikët. E kemi arritur play off-in, por është sërish një ndeshje e rëndësishme për t’u luajtur. Luajmë me një kundërshtar të fortë dhe do të japim më të mirën.
Sigurisht që statistikat nuk i di, unë mendoj vetëm për ndeshjen. Kur i sheh është një gjë e mirë, por siç e thashë më herët, kemi një ekip që luan për të fituar Botërorin. Kemi një vetëbesim këto momente. Me armët tona, besoj se do bëjmë një ndeshje shumë të mirë nesër.
Nuk është vetëm për mua vështirësi të ndal Harry Kane, të gjithë mbrojtësit në botë kanë vështirësi me të. Por ne në mbrojtje dhe sulm luajmë si skuadër. Pse jo, Anglia ta pësojë një gol këtë kualifikuese? Nuk mendojmë vetëm për Kane, por për të gjithë ekipin anglez.
Sigurisht që mendojmë për play off-in. Edhe para ndeshjes me Andorrën e kishim mendjen aty. Në këtë pikë të përqendrohemi vetëm te Anglia, më pas të shohim shortin. Nga këto ndeshje mund të mësojmë për kundërshtarët.
Unë di të them që kemi vetëm një organizim shumë të mirë në këtë kombëtare. Jemi të gjithë të organizuar shumë bukur. Kemi rritur kualitetin. Duket edhe në fushë. Kjo është gjëja më e rëndësishme.
Kane është shumë i fortë dhe ka kualitete. Është e vështirë të luash kundër tij. Foden njësoj ka kualitete. Është një lojtar që lëviz shumë. Duhet të bashkëpunojmë sa më mirë për t’i ndalur”, tha Gjimshiti.








