Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka folur mbi fillimin e një serie protestash të cilat do të mbahen para Kryeministrisë, të cilat ai i cilësoi si një “foltore publike” ku deputetët dhe qytetarët do të shprehin shqetësimet dhe problemet e tyre.
“Do të jetë një protestë që do të hapë siparin e protestave permanente që do të mbahen para Këshillit të Ministrave, ku qëndron kreu i grupit të strukturuar kriminal, që është sot në krye të shtetit, Edi Rama.
Dhe pa diskutim do të jetë një foltore publike ku do të flasin deputetët e Partisë Demokratike, për shkak të pamundësisë së asaj që ndodh në Parlament për të diskutuar dhe debatuar, dhe ku do të flasin qytetarë të ndryshëm për problematikat e tyre.
Dhe mos harro këtu, është shumë e rëndësishme: ne kemi dy muaj parlament, kemi kaluar dy muaj, dhe ende nuk është zhvilluar një seancë që është e detyrueshme çdo muaj për të folur për problemet e qytetarëve, që është seanca e parë pas javës së gjelbër.
Po ju fus në teknikalitete të kalendarit të Kuvendit, ku flitet vetëm për problemet e qytetarëve. Dhe ende nuk është zhvilluar” tha ai.









