Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka ndarë sot kritika ndaj një sërë problematikash në drejtimin e Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ai u shpreh se nën drejtimin e Ilir Prodës, institucioni nuk po vetëpastrohet nga elementët kriminalë brenda radhëve të saj.
“Ka një dakordësi të gjerë që policia të marrë mbështetje të madhe financiare dhe është shumë e nevojshme. Edhe vetë kam mbështetur idenë se pagat e policisë duhet të rriten me minimumi 30% më shumë, që të kalojnë mesataren e punonjësve publikë. Por, problemi është se kur shikon feedback-un e punës, shumë gjëra kanë nevojë për një shpjegim.
Ka pasur raste kur inspektorët tuaj nuk janë thjesht punonjës, por edhe anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale. Kur del në dosje e marrim vesh të gjithë. Çfarë bëni ju për tu pastruar nga këto elementë? Se shoh edhe që nuk kemi zbardhje të ngjarjeve të mëdha kriminale, ekzekutimeve të bujshme, arrestim të krerëve të organizatave ndërkombëtare që janë në kërkim. Kjo e kalon kufijtë e një diskutimi normal. Sepse nuk ka as reagime për çështje të forta publike”, tha Erald Kapri.








