Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar qytetarët për reshje të dendura shiu që priten më 17–18 Nëntor. Sipas parashikimeve, qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të kenë reshje intensive, ndërsa Lezhë pritet të ketë reshje të forta dhe Dibër, Durrës e Tiranë reshje mesatare deri intensive.
Autoritetet paralajmërojnë rrezikun për përmbytje, rrëshqitje dhe vërshime të shpejta, duke përfshirë lumenjtë kryesorë si Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë.
Bashkitë janë urdhëruar të njoftojnë qytetarët dhe të vendosin masa për pastrimin e kanalizimeve, monitorimin e niveleve të ujit dhe evakuime preventive nëse është e nevojshme.
Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes, të shmangin zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.









