Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë sjellë probleme serioze në Lezhë dhe Kurbin, ku disa zona janë përmbytur dhe disa ura kanë pësuar dëmtime.
Ministri Vengu njoftoi se forcat e ushtrisë janë dislokuar në zonat më të prekura, ndërsa është kërkuar mbështetje shtesë për menaxhimin e situatës.
Në Zejmen janë evakuuar katër familje të cilat u strehuan në konviktin e shkollës profesionale në Lezhë. Në lagjen “Sake”, disa banesa mbeten të rrethuara nga uji, ndërsa në Kallmet rezervuari ka arritur nivelin maksimal.
Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe OSHEE ka rikthyer energjinë në zonat ku pati ndërprerje. Policia ka shtuar patrullimet në akset problematike për të garantuar sigurinë.
Ministri Vengu kërkoi gatishmëri të plotë nga të gjitha strukturat, pasi reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.








