Letra e Këshillt Bashkiak të Tiranës drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e cila do të zhvillohet ditën e premte më datë 21/11/2025, ora 10:00 në ambientet e Bashkisë Tiranë.
Sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, konkretisht:
Neni 58, pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.
Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështje të interesit publik.
Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:
– lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,
ose, nëse kjo nuk është e mundur,
– mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.








