Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, theksoi domosdoshmërinë e hapjes 100% të listave zgjedhore, për t’i rikthyer deputetët tek qytetarët.
Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për garantimin e votës së lirë, ndarjen e partisë nga shteti dhe higjenizimin e procesit zgjedhor nga krimi i organizuar, duke i konsideruar këto çështje thelbësore për përmirësimin e standardeve demokratike në vend.
“Së pari unë dua t’ju kujtoj arsyet se përse u detyruam për të mbledhur Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në fakt, e vetmja arsye jeni ju si mazhorancë, që vit pas viti keni dëshmuar ose keni provuar se jeni recitivistë sa i përket shkallmimit të standardeve të zgjedhjeve dhe cënimit të votës së lirë, deri sa u prodhua edhe një raport si ai i OSBE-ODIHR, ku qartësisht edhe zgjedhjet e fundit etiketohen si një proces zgjedhor fars dhe për të “merita” është e juaja, si një proces zgjedhjesh që nuk garantoi as të drejtën më elementare, pra të drejtën e votës së lirë.
Pra, jemi mbledhur këtu pikërisht për shkakun tuaj dhe për fajin tuaj dhe për më tepër, unë e kam të vështirë të besoj në vullnetin e një shumice, e cila jo vetëm shkallmon standardet e zgjedhjeve, por edhe shkelmon kriteret themelore të Kartës së Kopenhagenit, gjithashtu kjo e identifikuar në raportin e OSBE-ODIHR.
Ashtu si kundër dyshoj në sinqeritetin e një mazhorance, e cila sjell si përfaqësues të saj në këtë komision pikërisht individë që në vlerësimin tim duhet të ishin subjekte të ligjit penal, si konsumatorë personalë të krimeve5 zgjedhore të faktuara dhe të denoncuara edhe në Institucionet e Drejtësisë, që përfat të keq dhe ato nuk ekzistojnë.
Megjithatë, në vlerësimin tim ne mbërritëm sërish në një mbledhje të rradhës si një Komisioni të Reformës Zgjedhore të Kuvendit të Shqipërisë, pas një situate vërtet alarmante në raport me zgjedhjet dhe me standardet e zgjedhjeve.
Të mos harrojmë se është kjo shumicë, e cila vetëm pak muaj nga 11 Maji, bëri gjithcka për të asgjesuar pluralizmin politik në vend, duke arrestuar me urdhër politik nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, liderin e Partisë Demokratike, Prf. Dr. Sali Berishën, si dhe duke rrëmbyer në mënyrë kriminale Presidentin e Partisë së Lirisë, i cili ende vijon të qëndreojë në izolim ekstrem thjesht dhe vetëm për arsye të vullnetit tuaj politik për ti shkuar deri në fund misionit tuaj për asgjesimin e pluralizmit politik.
Megjithatë unë mendoj që, pa dashur të përsëris kolegët e Opozitës, katër duhet të jenë cështjet themelore që duhet të shqyrtojë ky komision.
Së pari, garantimi i votës së lirë, sepse edhe në 11 Maj ne ishim dëshmitarë që vota u vra pa hyrë fare në kutitë e votimit.
Cështja e dytë themelore që duhet të trajtojë ky komision, duhet të jetë hapja e 100% e listave, sepse mos harrojmë, jemi 17 vite nga viti 2008 kur Edi Rama imponoi ndryshimet Kushtetuese, pasojat katastrofike të së cilave sot i prekim të gjithë, dhe gjithashtu më lejoni të shpreh krenarinë e ligjshme si përfaqësues i një force politike, kryetari i së cilës dhe ish-deputetët e së cilës kanë hyrë në grevë urie në vitin 2008, për të kundërshtuar pikërisht atë dhunim të Kushtetutës brenda natës, duke paralajmëruar në fakt edhe minimin e parlamentarizmit dhe të lloogaridhënies.
Ndaj mendoj se zhdukja njëherë e përgjithmonë e listave të mbyllura, që imponoi pikërisht Edi Rama 17 vite më parë, është më shumë se kurrë një domosdoashmëri, në mënyrë që t’ua kthejmë deputetët qytetarëve dhe për ti rikthyer pushtetin sovranit.









