Eugen Cakolli nga KDI ka paralajmëruar se çdo vonesë nga Presidentja Vjosa Osmani në shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme rrit rrezikun për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm.
Sipas tij, datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve mbeten 21 dhe 28 dhjetori, por çdo shtyrje mund t’i zhvendosë ato në janar, duke krijuar pasiguri kushtetuese dhe fiskale.
“Sa më shumë që Presidentja e vonon shpalljen e datës së zgjedhjeve, aq më shumë rritet rreziku për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm. Çdo ditë e humbur sot i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe e afron vendin me skenarë të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal.”









